TIRANE- Nuk ka kaluar shumë kohë që nga dita kur Enea Xhaj u ekzekutua në lokalin e natës “Ante Grand” në Tiranë, pas një sherri me Konstandin Xhuvani, por familjarët e tij kanë trokitur në dyert e gjykatës. E veja e tij, Dorina Xhaj dhe i biri B.Xhaj i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë civile për lëshim autorizimi. Konkretisht nënë e bir kërkojnë “Lëshimin e autorizimit për tjetërsimin e pasurisë së mëposhtme: makinë ‘Mercedes Benz’ modeli E220,CDI ngjyra blu viti prodhimit 1999 me targë AA130AU, nr.shasie xxxxx”. Kërkesa mban nr.4884 dhe pritet të shqyrtohet nga gjykatëse Fahrije Budo (Stringa), e cila pasi të administrojë provat, do të vendosë nëse do t’u japë të drejtë familjarëve të të ndjerit të tjetërsojnë automjetin. Enea Xhaj u ekzekutua në orët e para të 4 nëntorit 2014, në lokalin e natës “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit.

Ai ndodhej në të njëjtën tavolinë me mikun e tij Edison Jaho, kur pas një debati me Kostandin Xhuvani, ky i fundit i qëlloi për vdekje. Xhuvani vrau në pak minuta edhe italianin Gianpaolo Azzola, si dhe të njohurin e tij, Arbër Demiraj, djali i ish-prokurorit të Apelit, Skënder Demiraj. Aktualisht Konstandin Xhuvani po gjykohet në Gjykatën e Tiranës, për akuzën “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të katër personave. Ai ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe nëse gjykata e pranon kërkesën e tij, atëherë Xhuvani, djali i ish-deputetes socialiste Luiza Xhuvani, i shpëton burgimit të përjetshëm që rrezikon të dënohet për veprën penale që akuzohet se ka kryer. Gjykata do ta japë vendimin për këtë kërkesë të Xhuvanit më 29 janar, ndonëse prokuroria është kundër, duke argumentuar se pa hetim gjyqësor nuk mund të hidhet dritë mbi mënyrën sesi u ekzekutua i riu Arbër Demiraj.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: