Kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit vijojnë me intensitet nga Policia e Tiranës, e cila ka përqendruar operacionet në zonat malore në rrethinat e kryeqytetit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kontrollet po zhvillohen kryesisht në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, zona që, sipas hetimeve, frekuentoheshin shpesh nga autori i dyshuar dhe tashmë i shpallur në kërkim, Armand Shakaj.
Dëshmitë e disa banorëve të Pëllumbasit, të cilët kanë deklaruar se kanë parë automjetin e Shakajt në këtë zonë, kanë shtyrë policinë të intensifikojë kontrollet dhe verifikimet në terren. Ndërkohë, të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se 41-vjeçari nuk ka dalë jashtë territorit shqiptar, duke forcuar dyshimet e hetuesve se ai vazhdon të fshihet brenda vendit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se Shakaj vuan nga një problem shëndetësor dhe për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha spitaleve publike dhe private, të cilat janë vënë në gatishmëri për të njoftuar menjëherë autoritetet nëse ai paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore. Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje është arrestuar edhe kamarieri i Armand Shakajt, Enea Zyferi, ndaj të cilit Gjykata caktoi të mërkurën masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjatë dëshmisë së tij, Zyferi ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje, ndërsa ka deklaruar se Shakaj i kishte kërkuar të fikte dritat e lokalit me arsyetimin se do të zbriste një frigorifer.
34-vjeçari Eglant Koçi rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor. Për herë të fundit, kamerat e sigurisë e kanë fiksuar në ambientet e lokalit të shokut të tij Armand Shakajt dhe më pas janë ngjitur në katin e dytë të kësaj godine, ku është mbajtur peng për disa orë në një prej ambienteve.
Në korridorin e kësaj godine kamera e sigurisë është shqyer dhe e kthyer në anë, ndërsa në të dallohen qartë shenja gishtëronjsh me gjurmë gjaku. Këto veprime dyshohen të jenë bërë nga Shakaj për tu kujdesur që të mos lërë gjurmë në pamje filmike. Prej andej, hetuesit dyshojnë se trupi i të riut është transportuar me makinë ku janë gjetur edhe gjurmë biologjike.
