Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2026 parashikon një paketë të rëndësishme sociale, me fokus mbështetjen e familjeve dhe çifteve të reja. Njoftimin e ka bërë nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Endrit Braimllari i cili deklaron se buxheti garanton subvencionimin e interesave të kredisë për 1,500 kuota të reja të kredisë së butë, të financuara nga të ardhurat e bashkisë.

Sipas tij, ky program synon të lehtësojë aksesin në strehim për shtresat në nevojë, veçanërisht për çiftet e reja, duke u ofruar atyre një mundësi reale për të siguruar një banesë.

Braimllari theksoi se skema e kredisë së butë do të vijojë të zgjerohet edhe në vitet në vijim, si pjesë e politikave sociale për përballimin e kostos së jetesës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Tiranës.

Postimi i Braimllarit
Të dashur qytetarë të Tiranës,
Duke ju uruar një të diel të mbarë, dua të sjell në vëmendjen tuaj se votimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2026 përfshin një paketë të rëndësishme sociale, e cila do t’u vijë realisht në ndihmë qytetarëve.
Buxheti i vitit 2026 garanton subvencionimin e interesave të kredisë për 1,500 kuota të reja të kredisë së butë, të financuara nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Ky program përfaqëson një ndihmë të jashtëzakonshme për shtresat në nevojë, por veçanërisht për çiftet e reja, duke u krijuar mundësinë reale për të pasur një apartament.
Ky është një program që do të vijojë të zgjerohet, duke ofruar mbështetje konkrete për përballimin e kostos së jetesës dhe duke dëshmuar angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të qenë gjithmonë pranë shtresave në nevojë dhe familjeve të reja.
Angazhimi im si i zgjedhur vendor ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në shërbim të qytetarëve të Tiranës, duke nxitur, promovuar dhe ndjekur politika sociale që sjellin përfitime reale. Besimi që më keni dhënë ndër vite do të vijojë të jetë një përgjegjësi për mua, për ta vënë gjithmonë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, me mbështetje konkrete, më shumë shanse, më shumë mundësi dhe shërbime më cilësore për të gjithë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb