Nën dritat festive të fundvitit dhe në një atmosferë të mbushur me emocione, punonjësit e televizionit “News24”, “BalkanWeb”, “Panorama Grup”, “Gazeta Shqiptare”, “Radio RASH” dhe të gjithë grupit “Hysenbelliu”, që përfshin stafet e universitetit “Luarasi”, Birrës “Korça”, “Tirana”, ujit “Fab”, “Erioni ndërtim”, “Egnatia”, “Prestige Resort”, “Prestige Garden” dhe stafi i administratës, u mblodhën në një mbrëmje gala në ambientet luksoze të hotel Plaza për të ndarë së bashku momentet e mbylljes së një viti pune, të vështirë, por thellësisht domethënës.

Qindra punonjës të mediave e bizneseve, pronari i “Hysenbelliu Group” dhe botuesi i mediave të grupit z. Irfan Hysenbelliu, zëvendëspresidentja e grupit njëherësh presidentja e universitetit “Luarasi” znj. Fabiola Hysenbelliu dhe familjet e tyre, drejtues të grupit si edhe bashkëpunëtorë, partnerë biznesi dhe miq të ftuar ndanë së bashku gëzimin për mbylljen e një viti të rëndësishëm, që tregoi se sfidat përballohen kur ka unitet dhe vizion të përbashkët.

Viti 2025 ishte një vit me shumë punë, arritje, sfida por edhe shqetësime, veçanërisht për grupin mediatik. Sulmi ndaj News24, dëbimi i gazetarëve nga redaksitë, presionet e vazhdueshme dhe gjobat e padrejta, vunë në provë jo vetëm qëndrueshmërinë institucionale, por edhe forcën njerëzore të atyre që çdo ditë punojnë për të informuar publikun me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Megjithatë, përballë vështirësive, ky kolektiv i madh punonjësish zgjodhi të mos ndalet.

Mbrëmja gala nisi me transmetimin e disa reportazheve të shkurtra për punën dhe arritjet e News24, Universitetit “Luarasi” dhe Birra “Korça”, ku u pasqyruan jo vetëm sukseset, por edhe rruga e vështirë e përballjes me sfidat. Pamjet dhe dëshmitë sollën në vëmendje përkushtimin e stafit, investimet e vazhdueshme dhe rolin e rëndësishëm që këto institucione kanë në jetën mediatike, arsimore dhe ekonomike të vendit.

Një moment i veçantë dhe emocionues i mbrëmjes ishte përshëndetja e zëvendëspresidentes së “Hysenbelliu group”, zonjës Fabiola Hysenbelliu, e cila theksoi vështirësitë që ka kaluar veçanërisht grupi mediatik, por edhe punën për ringritjen dhe forcimin përballë presioneve.

Znj. Fabiola Hysenbelliu vlerësoi punën dhe përkushtimin e çdo punonjësi, duke shprehur besimin se viti 2026 do të jetë një vit i mbarë dhe plot mundësi për të gjithë, një vit i shpresës dhe i rezultateve konkrete.

Zëvendëspresidentja e grupit “Hysenbelliu” falenderoi gjithë punonjësit e grupit, partnerët e biznesit jashtë Shqipërisë, ku “Hysenbelliu group” ka filluar dhe po zbaton projekte të reja, si dhe presidentin grupit z.Irfan Hysenbelliu për vizionin, këmbënguljen dhe punën e tij të pandalur.

Atmosfera festive u ndez nga interpretimi i disa valleve shqiptare, me ritme tradicionale dhe kostume karakteristike, të cilat sollën emocione dhe duartrokitje të shumta nga të pranishmit, duke i dhënë mbrëmjes ngjyra autentike dhe u gjallërua më tej nga interpretimi i artistëve të njohur Endri dhe Stefi Prifti, të cilët me muzikën dhe energjinë e tyre krijuan një atmosferë të mrekullueshme, duke sjellë gëzim, buzëqeshje dhe emocione mes të pranishmëve.

Në vijim, punonjësit e grupit, si në një familje të madhe, kënduan e kërcyen së bashku nën tingujt e muzikës, duke lënë pas lodhjen e një viti të ngarkuar dhe duke uruar njëri-tjetrin për shëndet, mbarësi dhe suksese në vitin 2026.

Mbrëmja e fundvitit të Hysenbelliu grup nuk ishte thjesht një festë, por një reflektim i forcës së një kolektivi që, edhe në kohë të vështira, mbetet i bashkuar si një familje, i përkushtuar dhe i vendosur për të ecur përpara. Një dëshmi se puna, solidariteti dhe besimi në vlera, janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja, me urimin që viti i ri të sjellë shëndet, suksese të reja dhe edhe më shumë arritje për të gjithë punonjësit, bashkëpunëtorët dhe partnerët e grupit!

“Hysenbelliu group” uron: Gëzuar vitin 2026!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb