U prezantua sot projekti për Parkun e energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, 600 MW një zhvillim tejet domethënës në rrugën drejt sovranitetit energjetik, investim i kompanisë amerikane CëP, lider në energjinë e rinovueshme në Evropën Juglindore.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama u shpreh se synohet arritja e sovranitetit energjetik në vend, përmes rritjes së prodhimit dhe uljes së importit.
Sektori energjetik, tha Rama, është një mundësi e mirë për investitorët për të ardhur dhe zhvilluar projektet në Shqipëri. E pranishme në prezantimin e projektit ka qenë edhe e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy Vanhorn.
Kreu i qeverisë tha se Pekini i ka vënë syrin Shqipërisë duke e quajtur, sipas tij, “pika e mjaltit” të Europës. Kreu i qeverisë tha se mençuria e kinezëve e kombinuar me urinë e amerikanëve për të fituar, mund të bëhen bashkë në Shqipëri, për të kapur nga këtu, siç shtoi ai, tregun e madh, atë europian.
Edi Rama: Ju falënderoj shumë për punën që keni bërë edhe pa diskutim që ne do të jemi në mbështetjen tuaj deri në fund dhe shpresoj shumë që të mbani fjalën për afatet edhe për interesin tuaj edhe për tonin. Dhe ndërkohë një korrigjim të vogël do t’i bëja shefit të madh – kur tha që Shqipëria është treg i vogël. Shqipëria është treg i vogël, por Shqipëria është një pikë me një kapacitet të madh strategjik, sepse dihet ju do prodhoni këtu nga era dhe do eksportoni. Kështu që tregu juaj është Europa apo jo? Se po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideroni Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën apo jo?
Kështu që duke u bazuar tek mençuria mijëravjeçare e Kinës edhe duke u bazuar tek eksperienca dhe uria për fitim e Amerikës, ne jemi fiks vendi i duhur, në kohën e duhur për ju edhe për të gjithë të tjerët që duhet të vijnë këtu në këtë treg të vogël, për të kapur tregun e madh që është jashtë kufijve të këtij vendi të vogël.
