Shitja e fundit e apartamentit të Angelina Jolie në Nju Jork ka nxitur spekulime mbi gjendjen e saj financiare. Ylli 50-vjeçar i Hollivudit shiti verën e kaluar pronën e vetme që kishte në pronësi që nga viti 1997, për një shumë që nuk është bërë publike. Sipas dokumenteve të siguruara nga Daily Mail, Jolie e dorëzoi apartamentin e saj në Upper West Side të Manhattanit më 18 korrik 2025, ndërsa shitja u regjistrua zyrtarisht më 4 gusht. Prona ndodhet në ndërtesën historike The Ansonia në Broadway. Edhe pse kontrata nuk përmend çmimin, faqet e pasurive të paluajtshme e vlerësojnë apartamentin rreth 1.8 milionë dollarë. Jolie e kishte blerë atë për 490 mijë dollarë në dhjetor të vitit 1997.
Aktorja u rendit si shitëse, ndërsa kompania Ansoniasix, LLC si blerëse. Në vitin 2022, apartamenti kishte kaluar një rinovim të brendshëm me vlerë mbi 35 mijë dollarë. Në një intervistë në mars 2025, Jolie zbuloi se një nga djemtë e saj, Maddox, 24 vjeç, jetonte aty, duke e përdorur më shumë si një hapësirë magazinimi.
Në pritje të shitjes së rezidencës në Los Angeles
Ndërkohë, Jolie raportohet se po përgatitet të shesë edhe rezidencën e saj në Los Angeles për 24.5 milionë dollarë. Prona me gjashtë dhoma gjumi dhe dhjetë banjo është e njohur si rezidenca Cecil B. DeMille, e emëruar sipas regjisorit legjendar që jetoi aty për katër dekada. Sipas dokumenteve ligjore, Brad Pitt i kishte dhënë Jolie-s një hua prej 8 milionë dollarësh për blerjen e kësaj shtëpie në vitin 2017.
Jolie ka deklaruar më herët se dëshiron të largohet nga Kalifornia dhe se ka qëndruar aty vetëm për shkak të kushteve të divorcit nga Pitt. Ajo ka theksuar se planifikon të zhvendoset pasi fëmijët e saj të mitur të mbushin 18 vjeç – gjë që do të ndodhë këtë korrik me binjakët Knox dhe Vivienne – dhe se synon të kalojë shumë kohë në Kamboxhia.
Projekte jashtë SHBA-së dhe spekulime financiare
Në gusht të vitit të kaluar, burime pranë aktores thanë për People se ajo po punonte në projekte jashtë shtetit, përfshirë në Kamboxhia, Francë dhe Afrikë. Jolie zotëron prej vitesh një shtëpi tradicionale në Kamboxhia dhe ka blerë mijëra hektarë tokë për krijimin e një rezervati për kafshët e egra. Megjithatë, burime për Daily Mail sugjerojnë se largimi nga Los Angeles do të nënkuptonte ndarje fizike nga disa prej fëmijëve të saj, të cilët tashmë janë të vendosur në jetën e tyre. Knox është i angazhuar seriozisht në Muay Thai, Shiloh punon si koreografe në Los Angeles, ndërsa Zahara pritet të diplomohet këtë vit nga Spellman College në Atlanta.
Kolumnisti Rob Shuter ka pretenduar se Jolie po përballet me vështirësi për të ruajtur stilin e saj të jetesës, kryesisht për shkak të betejave të gjata ligjore me Brad Pitt lidhur me vreshtarinë Château Miraval në Francë. Sipas burimeve, kostot ligjore kanë qenë “astronomike”. Divorci i çiftit u finalizua në dhjetor 2024, por mosmarrëveshjet mbi pronësinë e Miraval vazhdojnë. Pitt e paditi Jolie-n në vitin 2022, pasi ajo shiti pjesën e saj të aksioneve oligarkut rus Yuri Sheffler pa pëlqimin e tij, një çështje që mbetet ende në proces ligjor.
