Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur në rend ditë çështjen e gjyqtares Irena Gjoka.
Prokuroria e Përgjithshme zhvilloi hetime për rreth 2 vite për gjyqtaren, duke arritur në konkluzionin se Gjoka ka qenë e dënuar në Greqi.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Prokuroria çoi në KLGJ, dosjen për gjyqtaren, Irena Gjoka. Dënimi nuk rezulton i deklaruar nga gjyqtarja në formularin e vetëdeklarimit.
Në formularin e vetëdeklarimit në vitin 2016, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, gjyqtarja Gjoka ka mohuar që të jetë dënuar ndonjëherë. Pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë e dënuar me vendim të formës së prerë, Irena Gjoka i është përgjigjur “jo” dhe të njëjtën përgjigje i ka dhënë edhe pyetjes nëse ndaj saj është marrë ndonjëherë ndonjë dënim gjykate, jo i formës së prerë.
Me X në kutinë e përgjigjes “JO” Gjoka është përgjigjur edhe për pyetjet nëse ndaj saj ka pasur ndonjëherë hetim apo gjykim nga një autoritet shqiptar apo i huaj (pyetja 3), nëse ka qenë ndonjëherë e ndaluar apo arrestuar për ndonjë vepër penale, apo i është dhënë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj.
Ndërkohë, në shkresën drejtuar KLGJ-së, gjyqtarja e GJKKO Irena Gjoka ka argumentuar se për gjyqin që ishte zhvilluar në Greqi ajo nuk ishte njoftuar asnjëherë.
