Ndërron jetë në moshën 82 vjecare, aktori i njohur i kinematografisë shqiptare Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi.

I prekur nga një sëmundje e rëndë, ai ndërroi jetë në shtëpi pranë familjes e cila u kujdes për të deri në momentin e fundit.
Fitim Makashi ishte një nga figurat e rëndësishme të teatrit dhe filmit shqiptar.

I lindur më 10 prill 1944 në Gjirokastër, ai kreu studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe u angazhua për vite me radhë në Teatrin Popullor, ku interpretoi dhjetëra role në drama dhe komedi, duke u vlerësuar për seriozitetin dhe natyrshmërinë e tij në skenë.
Në kinematografi, Fitim Makashi la gjurmë me role në shumë filma të njohur shqiptarë nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’90. Interpretimet e tij u dalluan për karakter të fortë dhe prani të veçantë artistike, duke e bërë pjesë të rëndësishme të brezit që ndërtoi identitetin e kinemasë shqiptare.
Ai realizoi një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku mund të kujtojmë rolin episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Rugicat që kërkonin diell”, “Në fillim të verës”, “Shpella e piratëve”, “Vdekja e kalit”, e shumë role të tjera.
Përveç karrierës si aktor, Fitim Makashi kontribuoi edhe si pedagog, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj artistësh. Trashëgimia e tij artistike do të mbetet pjesë e memories kulturore shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb