Me nisjen e reshjeve të shiut në vend u rikthyen edhe përmbytjet, ku uji ka vërshuar në rrugët e Durrësit.
Jola Hysaj, ish-kandidatja në listën e hapur të PD-së për qarkun e Durrësit ka postuar pamje nga situata dramatike në qytetin bregdetar,konkretisht nga lagjia e Currilave.
“Ranë disa pika shiu aty, dhe unë sërish u ndjeva në hall. Mendja më rri prapë aty… sa shtëpi do jenë sërish në hall”, shkruan Hysaj.
Vetëm pak javë pas përmbytjeve masive në këtë qark, banorët po përballen sërish me një situatë të vështirë, ku për shkak të nivelit të lartë të ujit qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e këmbësorëve është vështirësuar.
Situata më problematike ishte në kryqëzimet e qytetit bregdetar, si dhe pranë stadiumit “Niko Dovana”. Nga intensiteti i lartë i reshjeve janë shkaktuar edhe rrëshqitje të dherave nga shpatet e kodrave, kryesisht në zonën e Currilave, ku u bllokua edhe një kah i rrugës për shkak të ujit dhe baltës.
