Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar arrestimin e shtetasit Gjergji Fela , i dyshuar për përfshirje në një skemë mashtruese fiskale me pasoja të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa ndaj Gjergji Felës rëndojnë akuzat për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.

Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 5787, të vitit 2024, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ka rezultuar se subjekti tregtar “Dorina Fela” ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë.

Si pasojë e këtyre veprimeve, dyshohet se buxheti i shtetit është dëmtuar në vlerën 62,670,861 lekë. Sipas Prokurorisë, skema mashtruese është realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin.

Në kuadër të hetimeve, u ndalua shtetasi Gjergji Fela, i cili dyshohet se ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar të regjistruar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.

Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare që ajo ka shkaktuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb