Atletico Madrid “çmonton” Barçën, i shkakton një humbje të rëndë 4-0 në sfidën e parë duke qenë shumë pranë finales në Kupën e Mbretit. Dy ekipet dhuruan një sfidë spektakolare, gola, raste për shënim, VAR dhe protesta pa fund. Diego Simeone dhe të besuarit e tij i dhuruan një leksion të pastër futbolli Barçës, i shënuan një “poker” golash brenda pjesës së parë, shifra të vështira për t’u besuar.
Një gafë e portierit Joan Garcia i dhuroi Atletico-s golin e avantazhit që në minutën e 6-të, një detaj që ndikoi jo pak në rrjedhë e këtij takimi. Në minutën e 14-të, me një zbritje të shpejtë në sulm, Atletico gjeti edhe golin e dytë, me Griezmann që finalizoi saktë me një goditje të bukur brenda në zonë. Barça u përpoq të rikthehej në lojë, por ishin dhe të pafat teksa goditën dhe traversën. Në minutën e 33-të stadiumi shpërtheu sërish në festë ku Lookman finalizoi me gol një kundërsulm të shpejtë. Tifozët e pranishëm në stadium nuk po i besonin syve ku në limitet e pjesës së parë Julian Alvarez kompletoi “pokerin” e golave me një goditje të fortë në kufijtë e zonës së rreptësisë.
Në kushte të tilla, Barça e kishte të vështirë të reagonte, edhe kur e bënë diçka të tillë, me fillimin e pjesës së dytë, VAR i ndali festën duke i anuluar një gol për pozicion jashtë loje. Ekipi i Hansi Flick u përpoq të shënonte të paktën një gol, për të qëndruar në lojë, jo vetëm që nuk ia arritën diçka të tillë, por e mbyllën ndeshjen me 10-të lojtarë pas daljes me karton të kuq të Eric Garcia-s. Madridi shpërthen në festë për këtë fitore të madhe duke qenë shumë pranë kualifikimit për në fazën finale të Kupës së Mbretit.
Pavarësisht kësaj humbje të rendë, Hansi Flick beson ende të kualifikimi, por në konferencë për shtyp shpërtheu në kritika të forta ndaj arbitrit të ndeshjes: “Nuk luajtëm mirë. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të mendojmë për ndeshjen e kthimit. Do të jetë e vështirë, por do të luftojmë. Goli i anuluar i Cubarsi-t? Unë pyes pse u anulua, pse ishte pozicion jashtë lojë. Nuk e di çfarë menduan, duhet ta pranojmë, por nuk jam dakord”, u shpreh Hansi Flick.
Disfata e Barçës përballë Atletico-s mori vëmendjen e mediave spanjolle, ku titulli më i fortë ishte ai i Sport: “Dështim total”.
