Analisti Mentor Kikia e quajti lajm të keq sulmin e Tatimeve ndaj “Birra Korça”, përmes bllokimit të llogarive bankare ndaj shoqërisë më të vjetër të birrës në Shqipëri dhe një nga tatimpagueset më të rregullta, e cila kontribuon me mbi 50 për qind të të ardhurave të Doganës së Korçës.
I ftuar në programin e drekës në News24, Kikia tha se biznesi ka të punësuar qindra punonjës të cilët mbajnë familjet si dhe është burim taksash për shtetin.
Goditja e “Birra Korça”, tha Kikia, është një lajm i keq edhe për klimën e raportit biznes-qeveri, për biznesin vendas por edhe atë për të huaj që vjen dhe investon këtu.
Mentor Kikia: S’do të doja të ishte një vijim apo veprim i qëllimshëm i autoriteteve ndaj një biznesi pasi padyshim një biznes para se të jetë pronë e një pronari të caktuar është një vend ku punojnë qindra njerëz që mbajnë familjet, është burim taksash për shtetin. Mbi të gjitha, ajo që është e rëndësishme është fryma e marrëdhënies mes biznesit dhe qeverisë dhe që lidhet edhe me atë që quhet më pas klima e besimit të biznesit tek qeveria, pushteti. Dhe kjo nëse do të ishte një gjë e qëllimshme do të ishte një lajm i keq, një lajm i keq edhe për klimën e raportit biznes-qeveri, për biznesin vendas por edhe atë për të huaj që vjen dhe investon këtu.
