I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, gazetari Ergys Gjençaj ka bërë një pasqyrim të protestës së opozitës që u mbajt më 10 shkurt para ambienteve të Kryeministrisë.
Gazetari Gjençaj ka analizuar me detaje rrjedhën e ngjarjeve që nga nisja e protestës deri tek hedhja e molotovëve , fishekzjarrëve e gazit lotsjellës, dhe tensioneve që përfshinë si Kryeministrinë po ashtu edhe Parlamentin.
Një tjetër situata tensioni ishte edhe situata e operatorit të News24 Aldo Kashri, i cili u përfshi nga flakët. Gjençaj tregoi se situata ishte tronditëse, dhe se në momentin që ndodhi ngjarja ishte një panik që i përfshiu të gjithë aty pranë.
Gjatë intervistës gazetari Gjençaj solli një tjetër analizë dhe këndvështrim, duke u shprehur se protesta duhet që të kenë një revoltë qytetare dhe se kjo do të ishte mënyra e duhur për ta bërë qeverinë që të tërhiqej, apo të ndjehej vërtet në rrezik.
“Marrë në konsideratë se si kanë evoluar protestat e opozitës, por edhe protestat e mëparshme ishte si një skenar i shkruar ose i parashkruar. Dukej sikur pritej. Isha vendosur në fillimit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Para se të niste protesta kaluam pranë Ministrisë së Brendshme dhe Parlamenti. Godina e Parlamentit ishte rrethuar nga policë, ndaj ishte edhe ajo ndjesia se do të kishte një avancim. Dhe menjëherë pasi nisën molotovët , fishekzjarrët unë shkëputem dhe kaloj tek Parlamenti. Menjëherë vijnë forca mbështetëse tek Parlamenti dhe situata u bë më e kuptueshme se diçka do ndodhte. Menjëherë mbërritën protestuesit e parë dhe kishte njëlloj tensioni”, u shpreh ai, duke shtuar: “Në fund të ditës, fishekzjarrët , molotovi, në datën 20 shkurt që ka edhe simbolikën. Por a do të zgjidhim gjë? Përtej të gjithë akuzave, nëse protesta do ketë qëndresë…protesta është thirrur nga parti politike. Unë mendoj se qeveria ndryshon apo rrëzohet nëse do te ketë vërtet një revoltë qytetarë. Ju kërkoj zmbrapsjet e protestës kundër armëve kimike, apo protestën e studentëve. Nëse do ketë bashkim qytetarësh atëherë po mund të rrezikojë”, tha ai.
Më tej ai shtoi se protestat e kanë dhënë mesazhin e tyre, megjithatë thekson se nëse do të kishte një lëvizje për të ‘ulur palët’ ajo do të vinte më së shumti nga faktori ndërkombëtar.
“Protestat e tilla sigurisht e kanë një mesazh. Dy protestat e fundit e kanë çuar mesazhin. Kanë pasur momente për të treguar revoltën e qytetarëve por edhe për të thënë që ne ‘jemi këtu për të qëndruar’. Nëse do kemi një lëvizje për të rrezuar qeverinë, por për të ulur palët do të vijë më së shumti nga faktori ndërkombëtar. Unë gjykoj që herët apo vonë mund të kemi një dialog”, tha ai.
