Një burrë në Itali hodhi aksidentalisht 20 shufra ari në plehra. 57-vjeçari hodhi mbeturinat pa e kuptuar se ari i tij, me vlerë rreth 120,000 euro ishte brenda tyre. Pasi e kuptoi gabimin të nesërmen, burri njoftoi autoritetet në stacionin e policisë Carabinieri në Porto Cesareo, të cilët shqyrtuan pamjet e kamerave të sigurisë për të verifikuar raportimin e tij, sipas Corriere della Sera.

Individi, emri i të cilit nuk është bërë publik, kishte blerë ar ndër vite dhe i mbante shufrat brenda një kutie metalike përpara se t’i hidhte gabimisht në plehra në Torre Lapillo, një fshat i Porto Cesareos, në rajonin Puglia të vendit, sipas mediave.

Pamjet treguan se kutia ishte hedhur në një kosh publik në zonën bregdetare. Autoritetet më pas zbuluan se mbeturinat ishin transportuar në venddepozitimin e mbeturinave. “Pas disa orësh kërkimi të kujdesshëm, oficerët arritën të gjenin kutinë, e cila, megjithëse e dëmtuar, ende përmbante të gjitha shufrat e arit … të cilat më pas iu kthyen pronarit të tyre”, tha policia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: