Prof.Asoc.Dr. Arian Leka

Libri “Shqipëria prej letrave” i Ben Andonit përfaqëson një nga ndërhyrjet më të qëndrueshme metodologjike në studimet bashkëkohore mbi historinë e mendimit shqiptar të shfaqur përmes letërkëmbimit. Duke e zhvendosur vëmendjen nga diskurset normative të historiografisë zyrtare drejt epistolaritetit si formë arkivore, diskursive dhe kulturore, vepra ndërton një paradigmë të kërkimit shkencor, që e trajton letrën jo si burim dytësor, plotësues apo ilustrues, por si hapësirë autonome të prodhimit të dijes dhe të formësimit të vetëdijes kolektive. Letërkëmbimi në këtë libër konceptohet si dokument me vlerë të shumëfishtë. Ai është tekst, objekt material dhe akt komunikimi, ku dimensioni privat ndërthuret me atë publik dhe ku individualja takon me historiken.

Në këtë kuptim, studimi i Ben Andonit në librin “Shqipëria prej letrave” (Papirus, 2025) vendoset në dialog të drejtpërdrejtë me qasjet e historisë kulturore dhe mikrohistorisë, si dhe me teoritë mbi materialitetin e tekstit dhe praktikat shoqërore të shkrimit e të leximit, sidomos në epokën e disleksisë dhe disgrafisë që përjetohet sot. Autori e paraqet epistolari si një “arkiv intim të mendimit”, ku idetë, përveçse artikulohen në formë programatike dhe problemore, prekim edhe zona të emocionalitetit, dyshimit dhe të negociimit të shkruesve mes tyre. I strukturuar në tetë kapituj tematikë, studimi mbështetet mbi një korpus të gjerë dhe të përzgjedhur prej rreth 1200 letrash, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, arkiva akademike dhe burime të tjera private të qëmtuara me kujdes nga autori.

Ky material e pozicionon veprën brenda asaj që paleontologu Armando Petrucci e ka përkufizuar si “historia sociale e shkrimit” ku, po aq sa përmbajtja semantike e tekstit, ka rëndësi edhe mënyra e shkrimit, rrethanat e prodhimit, adresimi, qarkullimi dhe çdo element tjetër formal i tij. Ben Andoni tregon vetëdije kritike për kufijtë e përzgjedhjes, duke shmangur pretendimet totalizuese dhe duke e paraqitur librin si një bazë të hapur për kërkime të mëtejshme në disa disiplina. Ky pozicionim metodologjik e largon studimin nga ambicia enciklopedike dhe i jep atij karakter më të thellë eksplorues, ku epistolarët trajtohen si nyje komunikimi në qarqe intelektuale dhe kulturore, brenda dhe jashtë hapësirës kombëtare. Në këtë aspekt, vepra dialogon gjithashtu edhe me analizat e kryera prej historianit të kulturave Robert Darnton, mbi çështjet e qarkullimit të ideve dhe funksionimin e mediave joformale përgjatë historisë intelektuale europiane, ku letërkëmbimi luan një rol jodytësor.

Arian Leka
Arian Leka
Ben Andoni Shqiperia Prej Letrave
Ben Andoni Shqiperia Prej Letrave

Një nga kontributet më të qenësishme të librit “Shqipëria prej letrave” qëndron në rivlerësimin e epistolarit si “histori alternative” në mendimit shqiptar. Prej këtij këndvështrim letra shfaqet si formë diskursive ku subjektiviteti, retorika e afërsisë dhe koha e përditshme prodhojnë një lloj dijeje që u mungon teksteve zyrtare, programatike apo institucionale, duke plotësuar dhe pasuruar dokumentacionin për personalitetet, për debatin dhe kohën e shkrimit. Falë këtij trajtimi, lexuesi merr njohuri se në letrat shqiptare të periudhave të ndryshme, krahas ideologjisë kombëtare, si shqetësim kryesor, artikulohet edhe dimensioni njerëzor i mendimit, ku shfaqen shpresat, iluzionet, dilemat, zhgënjime dhe kode apo mënyra të pasura adresimesh të letërshkruesve. Një qasje e tillë prej autorit ndaj dokumentit e zhvendos fokusin e studimit nga “historia e ideve” drejt “historisë së mendësive” dhe praktikave kulturore të ushtruara gjatë kohës së komunikimeve përmes letrave. Materiali i shqyrtuar bën me dije gjithashtu se epistolarët funksionojnë si burime primare për historinë e përditshmërisë, duke ndriçuar proceset e zgjimit kombëtar, shtetformimit dhe organizimit kulturor dhe duke mbështetur mendimin e historianit Peter Burke, se kultura shpesh shfaqet më qartë në format e saj të vogla dhe jo zyrtare. Në këtë hapësirë, letra shqiptare, e vendosur në një diskurs më të gjerë epostilar, fiton vlerë të shumëfishtë dokumentuese.

Libri “Shqipëria prej letrash” vendoset në vijimësi kritike kundrejt traditës së botimeve epistolare shqiptare të mëhershme, të intensifikuara si publikime kryesisht pas viteve ’90, të tilla si Letërkëmbimet e Mit’hat bej Frashërit, Kuvend letrash me miqtë i Mustafa Merlika-Krujës, Letërkëmbimi Camaj–Pipa apo Dashuri në moshën e Krishti, me letërkëmbimin intim të Dritëro Agollit, si edhe rishikim në korrespondencat e mëhershme të Dora d’Istrias me De Radën, të Fan Nolit me bashkëpunëtorët apo të Lasgush Poradecit më Asdrenin. Në këtë vështrim, letërkëmbimet e Pjetër Bogdanit, Kristoforidhit, Veqilharxhit dhe personaliteteve të tjera shfaqen si dëshmi të angazhimit intelektual dhe qytetar në çështje themelore të historisë shqiptare. Strukturimi i veprës në kapituj tematikë, të tillë si miqësia, feja, patriotizmi, arsimi, shkenca, kultura, lufta, anonimati etj., përfaqëson brenda librit një zhvendosje të rëndësishme që, duke u nisur nga kronologjia lineare, priret dhe mbërrin drejt analizës së mendësive përmes epistolarëve. Ndërhyrjet dhe intriduktat e autorit, letra, si fakt dhe letërkëmbimi si proces, i përcillet lexuesit si mjet i ndërtimit të rrjeteve të para të komunikimit intelektual shqiptar, duke dëshmuar për një kulturë shkrimi aktive dhe të vetëdijshme. Risi sjell botimi edhe në ndërtimin e një aparati interpretues dhe klasifikues, që i vendos këto epistolarë në raport hierarkik, tematik dhe kronologjik, si dhe në dialog me traditat europiane të letërshkrimit humanist dhe modern, siç do e cilësonte Janet Gurkin Altman në veprën “Epistolariteti: qasje ndaj një forme”. Për secilin kategorizim autori veçon çështje të adresimit, si te Patër Anton Harapi, për çështjet e etikës së komunikimit ndaj hierarkisë, si te Ernest Koliqi ndaj Mustafa Krujës, ku miqësia dhe institucioni mbahen të balancuar apo te shprehja e keqardhjes dhe ankimet e përmbajtura të Gjeçovit ndaj autoriteteve, nderimi për anën protokollare, si në letërkëmbimin mes Eqrem Bej Vlorës ndaj Ahmet Zogut, apo befasi të tilla si shprehja e ndjenjave miqësore të Ahmet Zogut ndaj Fan Nolit, falënderimet e dashamirëse të shqiptarëve të shquar në koloni dhe në diasporë, deri te mirësjellja formale apo shprehjet dashurore dhe letërkëmbimi mes kundërshtarëve të mëvonshëm me përkatësi e prapavija të ndryshme ideologjikë. Zhvendosja e praktikave shqiptare të shkrimit i vendos këto në dialog me traditat e Lindjes së Largët, Mesopotamisë, Egjiptit të Lashtë apo qytet-shteteve italiane i jep analizës në libër një dimension ndërkulturor dhe evolucionar, duke e nxjerrë rastin shqiptar nga izolimi interpretues. Hipotezat mbi ekzistencën e scriptoriumeve vendase, të mbështetura në analiza krahasuese dhe dëshmi indirekte, e zgjerojnë fushën e studimit drejt paleografisë shqiptare dhe historisë së shkrimit para shtypshkrimeve, që të shtyjnë të kërkosh më thellë në kohën, drejt traditave më të hershme të skribëve në hapësirën shqiptare.

E spikatur në studimin “Shqipëria prej letrash” është analiza e kaligrafisë si praktikë sociale dhe komunikative përmes dorëshkrimeve. Duke u distancuar nga konceptimi i bukurshkrimit si “art elitar”, autori e trajton shkrimin e dorës si element paratekstual, ku forma grafike e shkronjës interpretohet si shenjë e formimit kulturor, statusit shoqëror, e dinjitetit, e vetëdijes gjuhësore si dhe e identitetit të shkruesit. Në këtë kuptim, bukurshkrimi apo kaligrafia shndërrohet në një “portret kulturor”, mbi individualitetin grafik të shkruesit, siç theksohet edhe në aktet më të fundit të UNESCO-se, mbi marrjen nën kujdestari të të shkruarit me dorë, si një aftësi kritike dhe thirrje për identitetin kulturor. Ben Andoni bën disa veçime, kur merr në shqyrtim disa prej personaliteteve të mirënjohura të Rilindjes Kombëtare dhe figura historike të shekullit XX, që tregojnë vëmendje dhe kujdes të posaçëm ndaj letrës së dorëshkruar. Mes tyre ai veçon shembujt e bukurshkrimit të Ndje Mjedës apo Shtjefën Gjeçovit, nistoret e Sami Frashërit apo theksimet në dorëshkrimin e Çajupit, që përforcojnë qëndrimin e autorit ndaj për trajtimin e epistolar përtej një vepre artit të shkruar bukur, por edhe argument se stili në shkrim, ritmi i tij e deri te vendndodhja e shkronjave, pasqyrojnë jo rrallë edhe autoritetin e shkruesit, që qëndron pas tyre.

Analizimi i këtyre dëshmive të dorëshkruara, plotësuar edhe me prekje filologjike në përshkrim shërben sjell në mënyrë të prekshme përmbajtjen dhe materien e letrës apo trajtimin formal të shkrimit, si trajtim më vete përmes kapitullit “Te komunikosh me ane te bukurshkrimit.” Ky kapitull sjell e zhvendos vëmendjes drejt “kaligrafisë si praktikë sociale dhe komunikative”, për të qëndruar më pranë propozimeve të studiuesit Armando Petruçi mbi individualitetin grafik të teksteve të dorëshkruara. Autori bën interpretime mes afrive dhe dallimeve të “shkrimit publik”, si instrument për të orientuar mendimin dhe komanduar hapësirën dhe “shkrimit të dorës”, si mjet që bën të mundur përhapjen e ideve nga qarqeve e mbyllura personale dhe intelektuale, drejt një hapësire më të gjerë publike.

Dallimi metodologjik përmbushet në libër edhe përmes trajtimit përdorimit të letërkëmbimit si strategji narrative në letërsinë artistike, si në romanet epistolare apo tekstet letrare me formë ditari, ku letërsia shqiptare ka modele, si të Sikur t’isha djale nga Haki Stërmilli apo Letra grues seme të vdekun të Gj. Maranaj (Gjovanin Gjadri). Ben Andoni e veçon me korrektësi dallimin, duke theksuar se letërkëmbimet mes personazheve letrarë romanorë konsiderohen mjet i arkitekturës së veprës letrare, ndërkohë që epistolari mes personaliteteve paraqitet si dëshmi me rol dhe ndikim në ndërtimin objektiv të kujtesës. Kësisoj letërkëmbimi real i personaliteteve historike trajtohet si burim për ndërtimin objektiv të historisë, në përputhje me prurjet e studimeve të komunikimit historik dhe të paratekstit. Ky dallim e përforcon statusin e letrës si dëshmi aktive në ndërtimin e mendësisë individuale dhe kolektive dhe jo thjesht si artefakt letrar i kureshtjes.

Libri Shqipëria prej letrave”, nga Ben Andoni e vlerëson letrën e shkruar si transferim idesh dhe ndjesish, gjithashtu edhe si një dëshmi me rëndësi kulturore, historike dhe njerëzore, duke trajtuar dukurinë e epistolaritetit si ë burim thelbësor për të kuptuar botën shpirtërore të elitave dhe individëve të kohës, përfshi edhe përditshmërinë sociale e kulturore të shqiptarëve. Perspektiva e ofruar ndihmon që Shqipëria të kuptohet përtej narrativave të gatshme apo artikulimit me ndërmjestësim, si një bisedë e hapur, “e paanshme, një kundërvënie ndaj digresioneve, paragjykimeve dhe shqetësimeve tematike, që ndërlikojnë përdorimin e historiografisë së lashtë narrative”. Një lexim i tillë nxit që të interesuarit ta ribëjnë Shqipërinë prej zërit të drejtpërdrejtë të atyre që e menduan, e deshën në mënyrën e tyre dhe e kundërshtuan atë në letërkëmbime.

Vlera studimore e tekstit është shumëplanëshe dhe e qëndrueshme, pasi përbën një kontribut të rëndësishëm dokumentues, mbështetet në një korpus të pasur burimesh (kodikë, dorëshkrime, letra arkivore, dokumente shtetërore dhe fetare etj.), duke i analizuar ato nga ana përmbajtjësore e gjuhësore dhe për nga forma grafike. Teksti sjell kontribut, veç të tjerash edhe për historinë e shkrimit shqip dhe të alfabetit, pasi ndjek evolucionin e formës së shkronjave nga dorëshkrimet mesjetare deri te shkrimi modern, duke nxjerrë në pah marrëdhënien mes fonetikës së shqipes dhe zgjidhjeve grafike të përdorura ndër shekuj.

Vepra shoqërohet menjë aparat referencial të pasur e të gjerë, që përfshin studiues shqiptarë dhe të huaj, klasikë dhe bashkëkohorë (Çabej, Kastrati, Domi, Sinani, Koçollari, Dervishi, apo Bradley, Sogno, Camiciotti, Claude, Del Corno), element ky që e vendos atë në dialog të qëndrueshëm me teoritë e epistolaritetit, historisë kulturore, studimeve të komunikimit dhe filologjisë. Referencat e sjella nga autori funksionojnë si instrumente analitike dhe jo si ornament akademik, duke legjitimuar interpretimet dhe duke e pozicionuar epistolarin shqiptar në hartën europiane të praktikave të shkëmbimit të ideve. Epistolariteti në këtë libër krijon komunikimin dhe kujtesë, duke e zgjeruar ndjeshëm horizontin e studimeve letrare, historike dhe filologjike, ku shkrimi është sa tekst intim e privat aq edhe identitet shoqëror me ndikim në sferën publike.

“Shqipëria prej letrave” e Ben Andonit përfaqëson një kontribut metodologjik dhe dokumentues me vlerë të qëndrueshme për historinë e mendimit shqiptar me prejardhje nga dorëshkrimet. Duke i njohur epistolarit statusin si dëshmi kulturore, historike dhe njerëzore, botimi ofron një model kërkimi ndërdisiplinor të zbatueshëm edhe për fusha të tjera të dijeve albanologjike.

/ Gazeta Panorama

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb