Zbardhet dëshmia e plotë e Laureta Buçpapaj dhënë në polici, pasi bashkëshorti i saj, Gazment Buçpapaj u shpall në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Egli Pashollarit. Ajo ka rrëfyer se rreth orës 15:05 minuta të 20 shkurtit, pasi ka përfunduar orarin e punës, është larguar prej andej me automjetin tip ‘Audi’ që drejtohej nga burri i saj.
Laureta Buçpapaj deklaron më tej se gjatë lëvizjes në zonën e rrugës “Ylbere Bylykbashi” dhe në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, është krijuar një situatë tensioni në qarkullim me një automjet ngjyrë gri. Sipas saj, drejtuesi i mjetit i kishte bllokuar rrugën dhe bashkëshorti i saj i ka rënë borisë për ta sinjalizuar që të hapte rrugën dhe kishin dëgjuar se shoferi i mjetit i kishte ofenduar me fjalë të rënda nga familja, por nuk kishin reaguar dhe kishin vazhduar rrugën.
Buçpapaj ka sqaruar se kur kishin vazhduar rrugën përsëri përpara tyre po lëvizte shumë ngadalë e njëjta makinë, përsëri bashkëshorti i saj Gazment Buçpapaj i kishte rënë borisë dhe makina gri para tyre kishte ndaluar.
“Nga ky mjet ka dalë shoferi një djalë rreth 30 vjeç, me trup të dobët me bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë të zezë, i cili i shoqëruar nga dy persona që gjendeshin me të, dhe ishte afruar drejt mjetit të tyre”, ka pohuar gruaja e të dyshuarit. Në këto momente gjithashtu ka dalë nga mjeti edhe Gazment Buçpapaj dhe kishin nisur të goditeshin me grushte. Laureta Buçpapaj ka shtuar më tej se edhe ajo vetë kishte dalë nga makina dhe kishte shtyrë drejtuesin e mjetit dhe një prej personave që e shoqëronte atë. Pas disa momentesh ajo kishte parë që shoferi i makinës ishte gjakosur, por bashkëshorti i saj e ka kapur nga krahu dhe të dy janë larguar me mjetin e tyre.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë ka rezultuar se rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në këmbë për në drejtim të Rrugës së Kavajës dhe pak më tej kanë marrë një taksi dhe kanë shkuar në banesën e tyre në zonën e “Sharrës”.
“Bashkëshorti Gazment Buçpapaj ka ndërruar rrobat bluzën dhe pantallonat dhe është larguar nga banesa në këmbë në drejtim të kryeqytetit, pa marrë më vete telefonin e tij dhe nuk kam më dijeni për të se ku ka shkuar”, ka pohuar ajo më tej.
Ndër të tjera gruaja ka deklaruar se nuk e ka parë momentin që Gazment Buçpapaj ka goditur shoferin e mjetit që u konfliktua me ndonjë send por ajo dyshon që mund t’a ketë goditur atë me një thikë, të cilin e mbante me vete në automjet. Që pas vrasjes së Egli Pashollarit, autori i dyshuar Gazment Buçpapaj vijon të jetë në kërkim nga policia.
