Plot 35 vite më parë, në mesin e shkurtit të 1991-it, me mijëra shqiptarë të ardhur në qytete dhe rrethe të ndryshme të vendit, u dyndën turma turma në drejtim të porteve të Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Himarës, Sarandës etj., dhe pasi rrëmbyen forcërisht të gjitha mjetet lundruese detare që gjendeshin aty, duke filluar nga më të voglat, si; motoskafët, peshkarexhat, rimorkiatorët etj.,  e deri  te anijet e mëdha të transportit të tonazhit të rëndë, pjesë e Flotës Tregtare Shqiptare dhe të huaja, madje dhe anijet luftarake,  me të cilat udhëtuan në det të hapur drejt brigjeve dhe porteve italiane.

Këto ngjarje të paprecedentë që nuk kishin ndodhur kurrë më parë gjatë gjithë periudhës 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, asokohe bënë xhiron e botës në pjesën më të madhe të kanaleve televizive, për shkak se mbërritja e tyre në portet e brigjet e gadishullit Apenin, u filmuan dhe u transmetuan direkt nga stacionet kryesore televizive italiane, si RAI, etj., e po kështu më pas edhe nga mediat më prestigjioze të shteteve të ndryshme të Evropës.

Ndërsa mbarë bota po shikonte e habitur nëpërmjet ekranit skena apokaliptike deri në kufijtë e çmendurisë, (njerëzit ishin ngjitur dhe kishin zënë vend në çdo pjesë të anijeve, si bletët në koshere), që nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore, regjimi komunist me në krye Ramiz Alinë, që ishte në agoninë e tij, nuk e pa të arsyeshme t’i transmetonte ato në emisionet e lajmeve në të vetmin kanal televiziv, siç ishte asokohe Radio-Televizioni Shqiptar, duke pasur frikën e drojën se pasqyrimi i atyre lajmeve, do e shtonte më tej eksodin biblik drejt vendit fqinjë.

Të paktën ky ishte “version zyrtar” i përfolur rëndom asokohe dhe më pas, sepse në të vërtetë arsyeja kryesore që nuk u pasqyruan ato ngjarje nga Radio-Televizioni Shqiptar, ishin zgjedhjet parlamentare që do mbaheshin më 31 mars të atij viti! Si dhe fakti tjetër, se krahas mijëra shtetasve që kishin rrëmbyer ato anije, ishin edhe me dhjetëra ushtarakë, si marinarë, oficerë, policë e punonjës civile të ndërmarrjeve dhe objekteve ushtarake, si Pashalimani etj., gjë e cila do e rëndonte pozitën e Partisë së Punës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare!

Këto ngjarje të cilat që nga ajo kohë e në vazhdim, për gati 35 vite me radhë, janë të njohura rëndom si “eksodi i marsit”, (pasi kjo gjë u përsërit dhe në gusht të atij viti), kanë mbetur pothuaj fare të panjohura dhe sot e kësaj dite askush nuk ka një informacion të saktë, se sa shtetas shqiptarë mundën të largoheshin në drejtim të Italisë, cilat ishin anijet dhe mjetet e tjera lundruese detare që u morën forcërisht prej tyre dhe sa veta humbën jetën e u mbytën në tentativë për të arritur në kuvertat e bordet e tyre dhe cilët ishin personat e arrestuar nga policia e forcat e ushtrisë?

Sa më sipër, të gjitha këto kane mbetur të mbuluara me mister, pasi që nga ajo kohë e deri më sot, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk janë botuar as dokumente arkivore ku të jenë pasqyruar ngjarjet e shkurt-marsit 1991!

Nisur edhe nga ky fakt, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore me siglën “Sekret”, të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ndodhen komunikatat operative të Degës së Përgjithshme pranë Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, në të cilat krahas ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme të ndodhura në të gjitha rrethet e vendit, janë pasqyruar edhe ato të “eksodit të anijeve”, të cilat e kanë zanafillën më datën 15 shkurt 1991, me anijet e peshkimit “Hajdar Dushi” dhe “Jonufra”, të cilat ishin të parat që u rrëmbyen nga porti i Vlorës, për të vazhduar më pas me të tjera anije, deri nga data 20 e muajit mars të atij viti. Të gjitha këto e të tjera, Memorie.al po i publikon bashkë me faksimilet përkatëse, në dy shkrime radhazi. (Memorie.al)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb