Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dënoi publikisht sulmet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iran, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit kombëtar dhe kërcënim për stabilitetin rajonal. Në një deklaratë zyrtare, Erdogan u shpreh se Turqia është “thellësisht e trishtuar dhe e shqetësuar” për zhvillimet e fundit, duke theksuar se Ankaraja ka bërë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe negociatave.

“Na vjen thellësisht keq për sulmet e këtij mëngjesi, të cilat shkelin qartë sovranitetin e Iranit dhe kërcënojnë paqen e popullit mik dhe vëllazëror iranian”, deklaroi presidenti turk. Ai shtoi se edhe sulmet me raketa dhe dronë të Iranit ndaj vendeve të Gjirit janë të papranueshme, pavarësisht arsyes.

Thirrje për diplomaci dhe armëpushim
Erdogan paralajmëroi se, nëse nuk mbizotëron arsyeja dhe nuk hapet rruga për diplomaci, rajoni rrezikon të përfshihet në një “rreth zjarri”.

“Për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme dhe vuajtje më të mëdha, të gjithë aktorët – veçanërisht ata në botën islame – duhet të veprojnë urgjentisht”, theksoi ai. Presidenti turk bëri të ditur se Turqia do të përshpejtojë iniciativat diplomatike me synimin për të arritur fillimisht një armëpushim dhe më pas rikthimin e palëve në tryezën e negociatave.

Sa i përket sigurisë kombëtare, Erdogan siguroi se Turqia nuk përballet me kërcënime të menjëhershme. “Nuk kemi asnjë problem sa i përket sigurisë së kufijve tanë dhe hapësirës sonë ajrore. Ushtria, xhandarmëria, policia dhe shërbimet tona të inteligjencës po marrin të gjitha masat e nevojshme në nivelin më të lartë”, deklaroi ai. Në përfundim, presidenti turk theksoi se Ankaraja do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për zgjidhjen paqësore të krizës, duke paralajmëruar për pasojat e rënda ekonomike dhe sociale që mund të sjellë përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb