Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar për zhvillimet rreth Qipros, duke deklaruar se Ankaraja po ndjek me vëmendje çdo përpjekje për ta shndërruar ishullin në pjesë të infrastrukturës së re ushtarake dhe planeve gjeopolitike në rajon. Në deklaratat pas mbledhjes së kabinetit në Ankara, Erdogan tha se çështja e Qipros nuk është thjesht një debat teknik për ndarjen e kompetencave mes dy komuniteteve, por lidhet me njohjen e barazisë sovrane dhe statusit të barabartë ndërkombëtar të turqve qipriotë.

“Po monitorojmë me kujdes çdo lëvizje të qarqeve që përpiqen të shfrytëzojnë tensionet në rajonin tonë dhe ta kthejnë Qipron në një pjesë të infrastrukturës së re ushtarake dhe llogaritjeve gjeopolitike”, u shpreh Erdogan.

Presidenti turk përsëriti qëndrimin e Ankarasë se nuk mund të ketë një proces të suksesshëm për zgjidhjen e çështjes së Qipros pa u njohur barazia sovrane e turqve qipriotë.

“Asnjë iniciativë që injoron barazinë sovrane të turqve qipriotë, të drejtat e tyre të lindura dhe interesat e tyre legjitime në Mesdheun Lindor nuk mund të ketë sukses”, deklaroi ai.

Erdogan shtoi se përpjekjet për ta trajtuar komunitetin turk të Qipros si pakicë kanë dështuar në të kaluarën dhe theksoi se paqja e qëndrueshme në ishull mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje të drejtë dhe afatgjatë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb