TIRANË- Në emisionin “Studio24”, në News 24 ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano analizoi protestën e opozitës, duke u ndalur edhe tek shkarkimi i Ilir Prodës.
Sipas tij, Ilir Proda nuk u shkarkua, pasi thekson se ka dijeni ‘se do të largohet me dorëheqje’.
Më tej u shpreh se largimet e drejtorëve në këtë mënyrë nuk japin një mesazh të mirë për strukturat e policisë, por edhe për sigurinë e qytetarëve.
“Nuk me vjen mirë që drejtorët e përgjithshëm janë duke lëvizur në këtë mënyrë? Çfarë mesazhi i jepet strukturës së policisë së shtetit dhe çfarë sigurie i jepet punonjësve? Nuk besoj që strukturat e tjera drejtuese apo punonjësit do të kenë më atë zell për punë, pasi duket sikur është bërë e modës dhe nuk e mbaron dot më kush mandatin.
Sa për protestën, policia ka pasur informacion, sepse edhe pranë godinë së drejtorisë së përgjithshme ishte vendosur kordoni. Më pas protesta ka vazhduar me lëvizje dhe në zonën e Bllokut ishte një lëvizje që nuk kishte info paraprake…
Por në momentin që kanë marrë drejtimin në rrugën që kalon nga Vila është menduar pavarësisht se është kërkuar afrimi i forcave…dhe aty ka ndodhur incidenti që pamë.
Dihet që turma e acaruar kryen veprime edhe pse si qytetar nuk promovoj dhunën. Në dijeninë time nuk ka dalë një akt një vendim i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm deri tani.
Mesa kam dijeni do të largohet me dorëheqje, por duhet thënë që nëse krijohet një situatë e tillë, nuk mund të vazhdohet dot më, atëherë është vendimmarrja e kryeministrit që nuk do të bashkëpunojë më.
Nuk di të ketë patur përplasje, por mund të jetë edhe incidenti i fundit…”, tha ai.
