Ndërsa qytetarët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile kanë zbritur për të tretën ditë radhazi në rrugët e Tiranës për të kundërshtuar projektin e ndërtimit në Zvërnec, aktivistët mjedisorë po denoncojnë një situatë të plotë paligjshmërie në terren.
I ftuar në emisionin “Studio24”, aktivisti Zydjon Vorpsi ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, institucionet po luajnë një lojë të dyfishtë, duke ftuar palët në dialog për një projekt që zyrtarisht pretendojnë se nuk ekziston në tavolinë, ndërkohë që makineritë e rënda kanë rrethuar zonën e mbrojtur.
Vorpsi theksoi se lëvizja qytetare nuk mund të pranojë diskutime me qeverinë për sa kohë në habitatin e Zvërnecit po ndërhyhet me dhunë ekologjike pa asnjë procedurë transparente.
“Kryeministri thotë hajde bëjmë dialog, por ne kërkojmë heqjen e telit me gjemba, të kamionëve dhe ekskavatorëve që janë prej kohësh aty dhe janë pa leje. Po shkatërrohet habitati. Një herë thotë nuk ka projekt, pastaj thotë hajde flasim. Janë dy botë paralele. Jemi në një situatë paligjshmërie ku autoritetet duhet të hiqnin mjetet. Kryeministri thotë do jetë investim i bukur, hajde flasim, por projekt nuk ka. Është një lëmsh i madh,” deklaroi aktivisti.
Shqetësimi më i madh i ngritur nga Vorpsi lidhet me shkeljen e hapur të procedurave ligjore. Ai kujtoi deklaratat e mëparshme të ministres së Mjedisit, e cila ishte justifikuar duke thënë se pamjet 3D apo renderat e publikuar në media nuk përbënin një aplikim zyrtar.
“Makineritë u futën pa proces konsultimi, pa diskutim. U lajmërua një projekt, por ka procedura ligjore që ndiqen. Ministrja e Mjedisit më parë ka thënë se meqë publikohen rendera, kjo nuk do të thotë se ka projekt zyrtar. Kanë thënë se nuk u ka ardhur projekt në tavolinë. Vazhdon të thuhet kjo, por ndërkohë makineritë u futën në zonë! Kjo u denoncua si çdo paligjshmëri tjetër,” përfundoi Vorpsi.
