I ftuar në emisionin “Studio24”, eksperti i mjedisit, Taulant Bino, ka zbërthyer detaje nga projekti i depozituar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, duke vënë ulërimën për dëmet që pritet t’i shkaktohen dunave ranore dhe brezit të pishave.
Sipas Binos, projekti parashikon ndërtime të larta, të cilat do të fshehin plotësisht pasurinë natyrore që mbulon sot zonën.
“Aty do të ketë struktura 8-katëshe. Pishat janë më pak se 8 kate të larta. Kjo do të thotë se ndërtesat do të shkojnë mbi pishat dhe kësisoj cënohet rëndë peizazhi,” u shpreh eksperti, duke sqaruar se impakti vizual dhe mjedisor do të jetë i jashtëzakonshëm.
Përtej lartësisë së godinave, eksperti ngriti shqetësimin kryesor që lidhet me ndërhyrjet nën tokë, pikërisht në zonat ku ndodhen dunat ranore (kodrinat e rërës të krijuara nga era), të cilat mbrohen me ligj si habitate prioritare.
Bino zbuloi se projekti i dorëzuar zyrtarisht parashikon ndërtime nëntokësore poshtë këtyre strukturave shekullore:
“Nuk cënohet vetëm peizazhi. Aty flitet për struktura nëntokësore. Projekti i depozituar në Ministrinë e Mjedisit thotë se do të ketë struktura nëntokësore nën dunat ranore. Si mund të jetë kjo? Dunat janë shumëshekullore, të ndërtuara nga natyra! Dunat ranore janë habitate prioritare që duhen mbrojtur. Një gjë që natyra e ka ndërtuar për miliona vjet, ne e prishim për katër ditë, bie fjala.”
