Gazetari Renaldo Salianji, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24 ka folur në lidhje me atë çfarë po ndodh në terren, duke vënë theksin te shkatërrimi i habitateve të rralla në Zvërnec.
Gjithashtu, ai ka analizuar natyrën e protestës qytetare në lidhje me situatën, duke e cilësuar si një lëvizje të pastër qytetare që po pëson rritje nga dita në ditë.
Salianji deklaroi se ndërhyrja me makineri të rënda ka lënë pas pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për faunën dhe florën e zonës, edhe nëse punimet do të ndërpriteshin menjëherë.
“Atje është hedhur beton, janë prishur dunat, foletë e breshkave. Dëmi atje, edhe me kaq sa është punuar, nuk rikuperohet që tani. Imagjino nëse do të vijojë puna atje,” paralajmëroi gazetari, duke dëshmuar se po goditen direkt gjallesat dhe strukturat ranore shekullore.
Duke bërë një paralelizëm me lëvizjet e mëdha të shoqërisë civile në Shqipëri, Salianji shpjegoi se si dallohet kjo protestë nga tubimet e organizuara nga partitë politike, si dhe vuri në dukje rritjen e shpejtë të numrit të pjesëmarrësve.
“Protestat qytetare nga ato politike dallohen nga pankartat. Në protestën për armët kimike, ajo e studentëve, apo kjo e sotmja, pankartat kanë qenë kreative, ndryshe nga protestat politike. Ne i kemi shembujt.
Nga dita në ditë ka pasur rritje të madhe të protestuesve. Në ditën e parë kishte një numër më të vogël, më pas qytetarët u bashkuan në marshim. Dje pati më shumë qytetarë, sot ishte dyfishi i atyre që ishin dje,” përfundoi ai.
