Zbardhet raporti i plotë i Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve, ku kërkon heqjen e imunitetit për ish-zv/kryeministren, Belinda Balluku, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas raportit të paraqitur nga opozita, SPAK ka konfirmuar elementë që lidhen me kërcënimin e dëshmitarëve dhe prishjen e provave, ndërsa theksohet se ARRSH ka vonuar dërgimin e dokumentacionit të kërkuar nga organi i akuzës.

Në dokument thuhet se ekziston rrezik për cenimin e hetimeve, ndaj sipas kërkesës së SPAK nevojitet masa e arrestit për të garantuar integritetin e procesit hetimor.
Prokuroria e Posaçme dyshon për abuzime me tendera në vlera prej miliona eurosh, ndërsa opozita thekson se heqja e imunitetit është një hap i domosdoshëm për t’i hapur rrugë veprimeve të mëtejshme procedurale.
Çështja pritet të shqyrtohet në Kuvend, ku do të vendoset mbi kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestit.
Nga ana tjetër, PS ka deklaruar se do të ketë një raport të saj për çështjen e Ballukut, ndërsa mbetet për t’u parë qëndrimi i mazhorancës në seancën e Kuvendit.
Kryeministri Edi Rama u shpreh 2 ditë më parë se do të shprehej për kërkesën e SPAK të cilët kërkojnë arrestimin e Ballukut, pasi të ketë lexuar raportin e Këshillit të Mandateve.
