Në orën 11:38 është rihapur zyrtarisht qarkullimi i automjeteve në segmentin e prekur në zonën e Dragostunjës, duke i dhënë fund bllokimit që krijoi vështirësi për qindra drejtues mjetesh dhe izoloi zonën e Juglindjes nga pjesa tjetër e vendit.
Segmenti në fjalë, pjesë e aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas, ishte bërë i pakalueshëm pas shembjeve të shkaktuara në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Pas ndërhyrjeve në terren dhe krijimit të kushteve për lëvizje, autoritetet dhanë sinjalin për rifillimin e qarkullimit.
Rihapja e këtij segmenti rikthen normalitetin në një nga arteriet më të rëndësishme rrugore që lidh Tiranën me juglindjen e vendit dhe me shtetet fqinje, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun dhe lëvizjen e mallrave.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të respektojnë sinjalistikën dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në zonë, ndërsa pritet që në vijim të jepen detaje të tjera mbi ndërhyrjet përfundimtare në këtë segment.
