* Policia: S’ka më rrezik
* Ja kush është autori i masakrës

GJERMANI- Një tjetër e premte e zezë për Europën. 9 persona kanë humbur jetën nga sulmi me armë në Mynih të Gjermanisë, mes viktimave 3 janë shqiptarë. Numri i të plagosurve ka shkuar në 27, mes të cilëve edhe 2 shqiptarë.

Viktimat janë Sabina Sulaj, Armela Segashi dhe Dijamant Zabërxha të tre me origjinë nga Kosova.

Fillimisht u konfirmua vetëm për Sabina Sulajn, por lajmin për vdekjen e Armela Segashit e ka dhënë vetë vëllai i saj Arbnor Segashi.

Përfaqësuesit e policisë gjermane, përmes komunikimit zyrtar me autoritetet e shërbimit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës në Mynih, kanë njoftuar se në mesin e të plagosurve janë edhe tre shtetas të tjerë sipas tyre aktualisht me status të panjohur të shtetësie, Mirsad Jovanivic dhe Benet Adili, kurse Lumnije Azemi e datëlindjes 20.04.1972 është shtetase e Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të siguruar më shumë informacione lidhur më shtetësinë e qytetarëve të lënduar.


“Armela – Vajza, motra dhe shoqja jon e dashur ndrroj jet. Faleminderit per shpresat dhe ndihmen dhe mbeshtetjen. Gjithmone ne Zemer”, shkruan Arbnor Segashi, vëllai i Armelës në facebook.

Ndërsa nga raportimet është mësuar edhe për vdekjen e 21-vjeçarit Dijamant Zabërxha. Lajmin e ka dhënë babai i djalit, Naim Zabergja, me një postim në profilin e tij në facebook, ku shkruan: “Me pikllim te thell njoftoj farefisin, miqet dhe shoket se djali im Dijamant Zabergja 21 vjeqar u vra dje ne Minhen nga dora terroriste”.

Po kështu raportohet se edhe një tjetër kosovar ka mbetur i plagosur në fyt. Ai është 14-vjeçari Benet Adijli.

benet

Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare deklaron se nuk ka shtetas të Republikës së Shqipërisë mes viktimave të sulmeve.
Autori i masakrës në Mynih u gjet i vetëvrarë me një plumb në kokë pas ngjarjeve dhe rrethimit nga policia.

MES VIKTIMAVE, TRE SHTETAS TURQ DHE NJË GREK
Ora 14:11- Janë 3 shtetas turq mes 9 viktimave të sulmit me armë në Mynih. Sipas asaj që deklaron ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, në një intervistë për TV NTV, bëhet fjalë për 2 adoleshentë dhe një grua. Po kështu edhe një prej viktimave është shtetas grek.

AUTORI PËRDORI NJË PISTOLETË GLOCK 9MM, KISHTE 300 PLUMBA
Ora 14:00- Vrasësi i Mynihut ka përdorur një pistoletë Glock 9mm me numër serie të fshirë dhe kishte rreth 300 plumba në çantën e tij të shpinës. Këtë e ka deklaruar shefi i policisë të kryeqytetit bavarez Hubertus Andrae.

ZBULOHET IDENTITETI I AUTORIT
Ora 11:20- Ali Sonboly, është emri i sulmuesit në Munih, i cili la të vdekur së paku 9 persona në restorantin McDonalds.

Sipas të përditshmes britanike, Daily Mail, 18-vjeçari me prejardhje iraniane, dyshohet se ka hapur një faqe në Facebook ku thuhej se do të shpërndahet ushqim gratis në McDonalds. Ai ishte djali i një shoferi.

MYNIH, AUTORI SHERR ME NJË TË PANJOHUR: UNË VIKTIMË E BULIZMIT
“Për shkakun tënd unë kam qenë viktimë e bulizmit për 7 vjet…”. Kështu mësohet se ka thënë autori i masakrës në Mynih, duke iu drejtuar një personi që ndodhej në ballkonin e një pallati pranë qendrës tregtare ku ndodhi sulmi. Në konfliktin verbal mes personit në ballkon dhe autorit, mësohet se personi i panjohur e ka fyer disa herë 18-vjeçari, duke e quajtur “idiot” dhe “gomar”.

MYNIH, HETIME PËR NJË LAJMËRIM TË RREMË NGA MCDONALD’S
Ora 8:00- Policia gjermane po heton për një lajmërim të rremë të publikuar në facebook që ofronte ushqim falas në restorantin Mc Donald’s pranë qendrës tregtare ku ndodhi masakra. Vetë autori ndodhej në restorant, shkruan Daily Mail duke nënvizuar se lajmi është konfirmuar nga policia gjermane. Mediat pyesin nëse lajmërimi është postuar nga autori për të tërhequr fëmijët në restorant.

HOLLANDE: JAM ME POPULLIN GJERMAN
Ora 7:40- Presidenti francez Francois Hollande ka shprehur keqardhjen për masakrën e djeshme në Mynih dhe mbështetjen për popullin gjerman në këtë moment të vështirë, raporton BBC. Nga sulmet në Mynih humbën jetën të paktën 9 persona dhe u plagosën 16 të tjerë.

AUTORI BËRTITI: JAM GJERMAN

Ora 7:08- Autori i masakrës në Mynih është filmuar me celular nga një qytetar që ka dialoguar shkurtimisht me të. “Mos filmo më. Nuk kam bërë asgjë. Unë jam gjerman”, raportohet të ketë thënë autori 18-vjeçar duke bërtitur, duke sharë edhe ndaj turqve.

POLICIA BASTIS SHTËPINË E SULMUESIT NË MUNIH, NDALOHET BABAI I TIJ
Policia gjermane ka bastisur shtëpinë e autorit të sulmeve në Mynih, 18-vjeçarit iranian me shtetësi gjermane, kurse babai i tij është marrë në pyetje në polici.
Një fqinj i tij ka deklaruar se nga videot që kanë qarkulluar në internet e ka njohur autorin.
“Ai banonte këtu afër meje. Unë e kam parë atë ndonjëherë por nuk e kam njohur si person. Një shok i imi ishte shok i tij i klasës dhe më ka thënë se ka qenë tip i qetë. Ai e ka njohur shokun e tij të klasës në videot e publikuara në internet”, ka thënë një prej fqinjëve, ku banoi sulmuesi gjermano-iranian 18-vjeçar për gazetën “Bild”.

IDENTIFIKOHET AUTORI I SULMIT, NJË 18-VJEÇAR GJERMANO-IRANIAN
Policia gjermane ka arritur të identifikojë autorin e sulmeve me armë në qendrën tregtare në Mynih ku humbën jetën 10 persona, përfshirë autorin.

Sipas policisë autori i sulmit është një 18-vjeçar me shtetësi të dyfishtë gjermano-iraniane i cili jetonte në Mynih.

Janë ende të paqarta motivet e ngjarjes, ndërsa policia po punon për të zbuluar nëse autori ka vepruar i vetëm.

Sulmi ndodhi në qendrën tregtare “Olympia-Einkaufszentrum”, ndërsa 18-vjeçari si autor i dyshuar u gjet i vetëvrarë rreth 1 km nga ngjarja.

POLICIA: S’KA MË RREZIK
Kreu i policisë gjermane Hubertus Andra, në një konferencë për media të mbajtur mbrëmë vonë, ka informuar për gjithçka që policia ka arritur të zbulojë, të mbledhë informacione nga sulmi i realizuar në Mynih.

Ai ka zgjedhur që përfundimin e konferencës ta mbyllë me mendimet dhe lutjet e të gjithëve për familjet e viktimave duke thënë “s’ka më rrezik”.

Mbi 100 persona kërkuan ndihmë në polici pas sulmit në Munih
Raporti zyrtar i lëshuar nga Departamenti i Policisë në Munih, thotë së pasi janë pranuar informacionet se në qendrën tregtare “Olimpia” në Mozah ka të vdekur nga sulmet, policia angazhoi më shumë se 2.300 shërbime emergjente në veprim.
Mynih 1
Megjithatë në raport bëhet e ditur se pas sulmit që ndodhi në qendrën tregtare “Olimpia” ku mbetën të vdekur dhjetra persona në mesin e tyre edhe fëmijë, përafërsisht 100 persona kanë kërkuar ndihmë për strehim në selinë e stacionit policor në Munih.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: