Një tjetër skandal korrupsioni ka tronditur institucionet e sigurisë në Ukrainë, pasi presidenti Volodymyr Zelensky ka shkarkuar nga detyra kolonelin Volodymyr Kobanichenko, kreun e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në rajonin Zhytomyr, në veri të vendit. Vendimi u mor përmes një dekreti presidencial, disa ditë pasi një gjykatë vendosi masën e paraburgimit për 60 ditë ndaj tij, në kuadër të një hetimi për përvetësim fondesh të destinuara për projekte mbrojtëse në aeroportet ushtarake.

Kobanichenko u arrestua më 25 shkurt, së bashku me kolonelin Andri Ukrainats, komandant i logjistikës së Forcave Ajrore, ndërsa dyshohet se po merrnin 320 mijë dollarë ryshfet. Të dy u kapën në flagrancë nga agjentët e sigurisë. Sipas hetimeve, ryshfeti lidhej me një skemë për përvetësimin e kontratave të mbrojtjes me vlerë rreth 32 milionë dollarë. Çështja kishte nisur që në maj të vitit 2025, kur shteti ukrainas kishte ndarë 1.4 miliardë hryvnia për ndërtimin e strukturave të parafabrikuara mbrojtëse për avionët në aeroportet operative.

Departamenti i Kundërzbulimit Ushtarak kishte zbuluar parregullsi të shumta në projektet e realizuara, përfshirë struktura nën standard, mbrojtje të pamjaftueshme dhe kosto të fryra. Megjithatë, pagesat paraprake sipas kontratave kishin nisur të transferoheshin. Sipas hetuesve, për të ndalur inspektimet dhe për të manipuluar auditimet, të dyshuarit planifikonin të transferonin rreth 13 milionë hryvnia (afërsisht 1% e financimit total) për të korruptuar auditorët dhe për të siguruar raporte të rreme mbi cilësinë e projekteve.

Skandali ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga udhëheqja e shtetit. Një ditë para arrestimeve, presidenti Zelensky kishte paralajmëruar një “spastrim” në strukturat e sigurisë, duke deklaruar se zyrtarët që vendosin interesat personale mbi ato të vendit do të largohen nga detyra. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024 të Transparency International, Ukraina renditet në vendin e 105-të nga 180 vende, duke mbetur ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Megjithëse vendi ka përmirësuar pozicionin e tij krahasuar me vitin 2014, kur renditej i 142-ti, ai mbetet ende larg standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për avancimin në procesin e integrimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: