Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka shkaktuar pasoja të mëdha edhe në sektorin e aviacionit, duke detyruar shumë kompani ajrore të anulojnë ose shtyjnë fluturimet drejt disa prej destinacioneve kryesore të rajonit.
Mes tyre është edhe kompania Aegean Airlines, e cila njoftoi se do të pezullojë përkohësisht një sërë fluturimesh drejt dhe nga disa qytete të Lindjes së Mesme për arsye sigurie.
Sipas njoftimit të kompanisë:
-Fluturimet për në dhe nga Riadi janë anuluar deri në orët e para të 14 marsit 2026;
-Fluturimet për Dubai janë pezulluar deri në mbrëmjen e 19 marsit 2026;
-Fluturimet për Tel Aviv janë anuluar deri në 20 mars 2026;
-Fluturimet për Bejrut, Erbil dhe Bagdad janë pezulluar deri në 25 mars 2026.
Situata lidhet me tensionet e forta në rajon pas sulmit të koordinuar ushtarak amerikan dhe izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, një zhvillim që çoi në përshkallëzim të shpejtë të konfliktit në disa vende të Lindjes së Mesme.
Në ditët e fundit janë raportuar sulme me dronë dhe raketa në disa zona strategjike, përfshirë aeroporte dhe zona urbane në Dubai, Abu Dhabi dhe Doha. Aeroporti i Dubait, një nga më të ngarkuarit në botë për fluturime ndërkombëtare – u detyrua të mbyllej për tre ditë pasi u godit nga mbetje dronësh gjatë kundërsulmeve.
Ndërkohë, disa shtete kanë nisur evakuimin e qytetarëve të tyre nga rajoni. Shtetet e Bashkuara kanë organizuar fluturime çarter për largimin e qytetarëve amerikanë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania dhe Arabia Saudite, ndërsa Britania e Madhe ka nisur operacionet për evakuimin e qytetarëve nga Omani dhe nga Emiratet.
