Gjatë një takimi me banorët në Prrenjas, kryeministri Edi Rama komentoi edhe protestat e opozitës, duke deklaruar se disa ish-demokratë janë bashkuar me mazhorancën.

“Shqipëria nuk kthehet më mbrapa. Do ta çojmë përpara me të gjithë demokratët që e gjejnë rrugën. Rrugën do ta hapim ne dhe nuk janë pak”, tha Rama.

Ai përmendi edhe drejtuesen aktuale të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, duke theksuar se ajo ka pasur më parë angazhim në radhët e Partisë Demokratike.

“Drejtoresha e Agjencisë së Rinisë ka qenë udhëheqëse e rinisë së PD-së dhe thotë: ‘Ku paskam qenë?’ Pse, a nuk e sheh që është mes njerëzish dhe jo mes qorrash”, u shpreh Rama.

Kush është drejtuesja e Agjencisë?

Në faqen zyrtare të institucionit rezulton se Sara Bodo mban postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Rinisë. Në vitin 2021, ajo u prezantua si kryetare e Forumit Rinor të PD-së në Vlorë (FRPD).

Bodo është emëruar në detyrë në tetor të vitit 2025.

Në njoftimin zyrtar të Agjencisë thuhet se emërimi i saj shënon një kapitull të ri për institucionin dhe politikat rinore në vend.

“Agjencia Kombëtare e Rinisë mirëpret znj. Sara Bodo në cilësinë e saj zyrtare si Drejtoreshë të institucionit, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri dhe të rëndësishëm për Agjencinë dhe politikat rinore në vend”, thuhet në deklaratë.

Sipas institucionit, Bodo ka një formim akademik në Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe përvojë në sektorin publik dhe privat, ndërsa është angazhuar prej kohësh në projekte që lidhen me të rinjtë dhe shoqërinë civile.

Agjencia thekson se nën drejtimin e saj synon të forcojë rolin e të rinjve në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe të mbetet një institucion i hapur dhe gjithëpërfshirës për aspiratat e të rinjve shqiptarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb