Sipas mediave shtetërore iraniane, është arritur një konsensus i gjerë për emrin e udhëheqësit të ri suprem të Iranit, pas vrasjes së liderit të mëparshëm, Ali Khamenei. Ai raportohet se humbi jetën pas sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në Iran rreth një javë më parë.

Menjëherë pas vdekjes së tij, në Iran u krijua një këshill i përkohshëm drejtues me tre anëtarë për të administruar vendin deri në zgjedhjen e liderit të ri suprem.

Këshilli përbëhet nga: Masoud Pezeshkian, presidenti reformist i Iranit; Gholamhossein Mohseni Ejei, kreu i sistemit gjyqësor dhe figurë e linjës së ashpër; Alireza Arafi, jurist dhe drejtues i forcës paraushtarake Basij; Udhëheqësi suprem i Iranit zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ i përbërë nga 88 dijetarë islamikë, të cilët zgjidhen për besnikërinë e tyre ndaj sistemit politik të vendit.

Një nga anëtarët e këtij organi, Mohammadmehdi Mirbaqeri, deklaroi se tashmë është arritur pothuajse një konsensus i shumicës për emrin e liderit të ri. Megjithatë, sipas tij, mbeten ende disa pengesa procedurale që lidhen me mënyrën e shpalljes së vendimit përfundimtar. Mediat iraniane raportojnë se brenda organit ka pasur një mospajtim të vogël lidhur me faktin nëse emri i udhëheqësit të ri duhet të miratohet në një mbledhje fizike të plotë apo nëse vendimi mund të shpallet pa ndjekur këtë formalitet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: