Memorie.al / Viti 1967, shënoi një kthesë dramatike jo vetëm për hartën e Lindjes së Mesme, por edhe për retorikën politike të Shqipërisë komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxha. Ndërsa e gjithë bota ndiqte me vëmendje pasojat e luftës gjashtëditore, ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, e njohur ndryshe si “Lufta i Yonkipurit”, Tirana zyrtare nëpërmjet propagandës së saj, e përdori këtë krizë si një platformë për të goditur atë që e quante “aleanca imperialisto-revizioniste”. Dokumentet e mëposhtme të nxjerra nga “Ditarit politik” i Enver Hoxhës dhe një shkrimit të tij të botuar asokohe në gazetën “Zëri i Popullit”, i përkasin verës së vitit 1967, (periudhës qershor- gusht), të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., ofrojnë një vështrim të rrallë mbi analizën e ashpër që udhëheqja shqiptare i bënte takimit të Moskës dhe rolit të Bashkimit Sovjetik, duke i gërshetuar këto zhvillime diplomatike “me masa konkrete për mbrojtjen ushtarake të bregdetit shqiptar”.
Kështu, ndërsa tymi i luftës arabo-izraelite ende nuk ishte shuar, në zyrat e larta të shtetit shqiptar, hartoheshin plane mbrojtjeje dhe fjalime denoncuese. Ky material ekskluziv, zbulon prapaskenat e një periudhe të tensionuar, ku Shqipëria akuzonte hapur Bashkimin Sovjetik për “thikë pas shpine”, ndaj popujve arabë. Nga udhëzimet e rrepta të Enver Hoxhës për fortifikimin e gadishullit të Karaburunit dhe gjithë bregdetin e Vlorës, e deri te analizat e mprehta për takimet Kosigin-Johnson, shkrim në fjalë na kthen pas në kohë, në një moment kur Shqipëria “sfidonte dy superfuqitë botërore”, duke deklaruar se; “Vlora dhe Durrësi janë dy objektiva kryesorë të armiqve tanë, prandaj këto duhet t’i bëjmë të pakapërcyeshme, t’i bëjmë kështjella të pamposhtshme, ku armiku të thyejë kokën që në ditët e para. Armikun do ta godasim që në det, para se t’i afrohet bregut tonë”.
Po si e shihte Shqipëria e vitit 1967 konfliktin në Lindjen e Mesme dhe përse udhëheqja e atëhershme me në krye Enver Hoxhën besonte se Moska dhe Uashingtoni po “ndanin zonat e influencës” në kurriz të popujve të vegjël? Përmes një gjuhe të ashpër dhe pa doreza, dokumentet e kohës zbulojnë frikën e regjimit komunist në fuqi, nga një agresion i mundshëm ushtarak në brigjet tona dhe bindjen e patundur se uniteti i vendeve arabe, ishte e vetmja rrugë shpëtimi.
Një dëshmi e gjallë e kohës kur politika e jashtme shqiptare lexohej përmes parimeve të “luftës kundër revizionizmit” dhe “vigjilencës për mbrojtjen e atdheut nga një sulm i mundshëm ushtarak nga deti dhe desantë ajrorë”? Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat Memorie.al i publikon të plota, si një paralele historike, në kuadrin e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.
PALLAVRAT REVIZIONISTE NUK DO T’I MASHTROJNË POPUJT ARABE
Artikull i botuar në gazetën “Zëri i Popullit”
14 qershor 1967
Krerët kryesorë të vendeve revizioniste të Evropës u mblodhën në Moskë më 9 qershor, “për të shqyrtuar gjendjen në Lindjen e Afërt”. Në fund të takimit, ata, me përjashtim të udhëheqësve rumunë, që edhe në këtë rast ruajtën pozitën e tyre të veçantë, botuan një deklaratë, në të cilën shpallën përfundimet e bisedimeve.
Deklarata, pjesën më të madhe të së cilës e zënë emrat dhe titujt zyrtarë të udhëheqësve revizionistë, përbën një dokument tjetër që vërteton tradhtinë e tyre të rëndë ndaj popujve arabë, frikën dhe kapitullimin e tyre të paturpshëm përpara imperializmit dhe reaksionit.
Farsa revizioniste e mbledhjes së re të Moskës dhe deklarata e saj bajate, e mbushur me fjalë të. përgjithshme, qëndrime propagandistike të papërcaktuara, solidaritet fals dhe premtime boshe, janë një orvatje e dëshpëruar për t’i vënë ndonjë mballomë të vjetër prestigjit të Bashkimit Sovjetik, i cili u godit rëndë, si rezultat i tradhtisë dhe i goditjes pas shpine, që udhëheqësit e tij renegatë, u bënë tani popujve arabë.
Nga mënyra dhe koha kur e thirrën mbledhjen, kur shumica e shteteve arabe kishin pranuar armëpushimin dhe Bashkimi Sovjetik e kishte shprehur plotësisht në OKB qëndrimin e tij kapitullues, duket qartë se krerët revizionistë nuk kishin aspak për qëllim t’u jepnin RAB-it, Sirisë, ose vendeve të tjera arabe ndonjë ndihmë konkrete, për të kundërshtuar agresionin izraelit.
Synimi i tyre ishte që, me anë të një demagogjie të re solidariteti, premtime e krekosje boshe, të hiqnin sa të mundnin disa nga ndyrësitë, që u mbetën në duar e fytyrë, kur lanë në baltë popujt arabë dhe u futën atyre thikën pas shpine. Këtij synimi i shërben, edhe prerja, si kofini pas të vjeli, e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin nga ana e qeverisë sovjetike dhe e disa pasuesve të saj.
Më 23 maj qeveria sovjetike lëshoi një deklaratë plot solemnitet e bombasticitet. Në të thuhej: “Asnjë nuk duhet të ketë dyshim se ai që do të guxonte të shpërthente një agresion në Lindjen e Afërt, do të ndeshej jo vetëm me forcën e bashkuar të vendeve arabe, por edhe me kundërshtimin e vendosur të Bashkimit Sovjetik dhe të të gjitha shteteve të tjera paqedashëse”.
Por ja që Izraeli dhe përkrahësit e tij anglo-amerikanë “guxuan” të shpërthenin agresionin në Lindjen e Mesme. Popujt e botës qenë këto ditë dëshmitarë të rezistencës heroike të popujve arabë. Por ç’u bë “kundërshtimi i vendosur i Bashkimit Sovjetik”?
Jo vetëm që “kundërshtimi” nuk u duk gjëkundi, por dolën në shesh tradhtia e turpshme revizioniste, bashkëpunimi dhe komploti i përbashkët sovjeto-amerikan në përkrahje të Izraelit, i cili u konkretizua në rezolutat e përbashkëta dhe në unanimitetin e tyre në Këshillin e Sigurimit.
Tani udhëheqësit revizionistë dalin përsëri e na thonë se “asnjë nuk duhet të ketë dyshim”, se “në qoftë se qeveria e Izraelit nuk largon trupat e saj brenda vijës së armëpushimit, shtetet socialiste, që kanë nënshkruar këtë deklaratë, do të bëjnë gjithçka të nevojshme për të ndihmuar popujt e vendeve arabe, t’i japin një përgjigje vendimtare agresorit”, etj., etj.
Mjaft më me pallavra të tilla! Popujt arabë nuk kanë nevojë për ngushëllime, as për përkrahje e solidaritet të tillë fals. Puna është për masa konkrete, të shpejta, të përcaktuara, efektive, të cilat revizionistët nuk mund t’i marrin kurrë, pasi ata janë renegatë, kapitullantë, mashtrues.
Udhëheqësit sovjetikë mundohen tani të përvetësojnë kërkesën e drejtë për largimin e trupave izraelite nga tokat e pushtuara dhe tërheqjen e tyre në vijën e armëpushimit. Por kushdo e kupton se kjo kërkesë në gojën e revizionistëve është thjesht një spekulim, pasi ata nuk do të bëjnë asgjë për realizimin e saj.
Edhe kur të tërhiqen trupat izraelite, që do të ndodhë patjetër, kjo do t’u detyrohet luftës, trimërisë dhe vendosmërisë së popujve arabë dhe askujt tjetër. Izraeli dhe partnerët e tij amerikanë, s’ka dyshim, do të bëjnë të gjitha përpjekjet që, nga pozitat e forcës, t’u imponojnë vendeve arabe diktatin e tyre.
Këtu synon manovra e Izraelit, i cili kërkon zgjidhjen e problemeve të vjetra e të atyre që lindën nga konflikti a tanishëm drejtpërdrejt me vendet arabe, duke llogaritur përkohësisht një betejë gjoja të fituar. Por një diktat i tillë, siç e mendojnë ata, do të jetë për imperialistët një disfatë e re, qoftë imediate, qoftë për të ardhmen.
Gabohen rëndë ata që mendojnë se mund t’u imponojnë popujve arabë një diktat të tillë fashist. Çështjet mund të fillojnë të zgjidhen vetëm atëherë kur Izraeli të ketë ndërprerë plotësisht agresionin dhe të jetë tërhequr në pozitat që mbante përpara 4 qershorit.
Çdo taktikë tjetër, qoftë e OKB-së ose e vetë agresorëve izraelitë, nuk do të ketë jetë të gjatë, sepse as Organizata e Kombeve të Bashkuara, as Izraeli nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë, pa u tërhequr më parë trupat izraelite nga territoret e pushtuara, si rezultat i agresionit të tyre të tanishëm kundër vendeve arabe.
Duke dalë tani me një deklaratë të bujshme për Lindjen e Mesme, klika Brezhnjev-Kosigin, dhe ata që i shkojnë pas, kërkojnë të ulin valën e urrejtjes antirevizioniste, që ka shpërthyer në të gjitha vendet arabe e që po merr çdo ditë e më shumë përpjesëtime të gjera.
Ata kërkojnë të hiqen si të pafajshëm, se në të ardhmen do të bëjnë diçka, se janë miq të vendeve arabe, se janë anti-imperialistë etj. Por kjo është një orvatje e dëshpëruar. Popujt arabë tanimë u bindën nga eksperienca e tyre e hidhur, se sa vlejnë “miq” të tillë.
Dhe kjo eksperiencë nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndodhi këto ditë, por edhe me qëndrimet dhe qëllimet e udhëheqjes revizioniste sovjetike në të ardhmen. Në deklaratën e tyre të 9 qershorit, krerët revizionistë shprehen qartë, se do të mundohen ta futin zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit nëpër mekanizmat e OKB-së, domethënë ta vënë në tryezën e pazarllëqeve sovjeto-amerikane, për ndarjen e zonave të influencës dhe sundimin botëror.
Fakti që në mbledhjen e Moskës mori pjesë edhe Titoja, ky agjent i vjetër e i regjur i imperializmit amerikan, është mjaft sinjifikativ. Si vëzhgues gati zyrtar i SHBA-së, ai, sigurisht, është përpjekur, dhe faktet e tregojnë, që rezultatet e kësaj mbledhjeje të jenë në përshtatje me vijën amerikane. Nuk është e rastit, për shembull, që deklarata nuk e pohon haptazi dhe nuk e dënon pjesëmarrjen konkrete të forcave ushtarake amerikane dhe angleze në veprimet luftarake përkrah Izraelit. Klika revizioniste sovjetike, në prag të agresionit, bëri çmos de-mobilizonte popujt arabë, të ulte vigjilencën e tyre përpara rrezikut imediat.
Kur filloi agresioni, ajo komplotoi me SHBA-në për të shuar rezistencën e tyre dhe, me anë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit, u mundua t’i krijojë Izraelit kushte të favorshme për të ndjekur politikën e tij nga pozitat e forcës.
Tani ajo kërkon të përfitojë nga vuajtjet e popujve arabë për të forcuar bashkëpunimin midis dy fuqive të mëdha dhe të bëhet partnere, ose të kryesojë, në emër të popujve arabë, luftën e ardhshme diplomatike e politike për rregullimin e konfliktit arabo-izraelit. Por, sado për pjekje e manovrime që të bëjnë revizionistët, popujt arabë, siç deklaroi pardje presidenti i Algjerisë, Bumedien, nuk do të lejojnë kurrë një Munih të dytë.
Arabët, ashtu si gjithë njerëzit e ndershëm në botë, nuk mund të mos shohin se revizionistët hrushovianë kanë degjeneruar në politikanë të paparim, që marrin nëpër këmbë interesat jetike të popujve, që të shesin e të blejnë si çdo plaçkë të zakonshme tregu. Tradhtia e udhëheqësve sovjetikë për popujt arabë ka qenë e rëndë dhe u ka sjellë atyre dëme të mëdha.
Por, nga ana tjetër, ajo ka sjellë edhe një shërbim të mirë: u ka treguar popujve se sa e gabuar dhe e rrezikshme është të mbështetësh qoftë edhe shpresën më të vogël te revizionistët. Ajo zbuloi dhe tregoi me fakte jo më ekzistencën e aleancës imperialisto-revizioniste, por edhe veprimin e saj konkret.
Maska e grisur e revizionistëve, që hiqeshin si përkrahës të luftës çlirimtare të popujve, u çor edhe më tepër. Tani popujt kanë mundësi të shikojnë edhe më mirë fytyrën e vërtetë të revizionistëve si aleatë dhe bashkëpunëtorë të imperializmit amerikan, armiq të rrezikshëm të çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë së popujve.
Vështirësitë e tanishme të përkohshme, që erdhën si rezultat i agresionit të pabesë izraelit, u dhanë shteteve arabe një mësim të madh, nga i do të përfitojnë për të konsoliduar më mirë unitetin e tyre përpara armiqve imperialistë e izraelitë.
Dhe nuk ka asnjë dyshim se nuk do të jetë e largët dita kur imperialistët dhe izraelitët do të gjenden përpara një uniteti të çeliktë, që do t’i dënojë ,e do t’i shkatërrojë ata, kur as befasia dhe as intrigat e imperializmit e të Izraelit, kur as tradhtia e demagogjia e revizionistëve nuk do të gjejnë terren të përshtatshëm për të dëmtuar lirinë e pavarësinë, të drejtat dhe aspiratat e pamohueshme të popujve arabë.
DURRES, E MARTE 11 KORRIK 1967
Fjalimi i ministrit të Punëve të Jashtme për në Kuvendin Popullor në përgjithësi duhet të jetë i shkurtër, konciz dhe të mos ketë as formë gazetareske dhe as formën narrative të ngjarjeve, duhet të jetë i balancuar dhe i fortë. Çështjes arabo-izraelite t’i jepet rëndësi, pse është një veprim agresiv imperialist.
Po të trajtohet në fjalim lufta e popujve për çlirim dhe përpjekjet e armatosura agresive të imperializmit amerikan, për t’i shtypur popujt, duke e filluar nga arsyet objektive, atëherë do të na duhet të trajtojmë në radhë të parë luftën e popullit të Vietnamit, dhe pastaj me radhë (natyrisht këto duhet të trajtohen kurdoherë brenda kuadrit të politikës së Partisë dhe të Qeverisë sonë, domethënë përkrahjen tonë dhe arsyet pse).
Në një trajtim të tillë duhet të dalin dhe të lidhen idetë, se në gjendjen e kësaj situate, imperializmit amerikan dhe revizionizmit hrushovian u janë dobësuar pozitat dominuese, po u digjet toka nën këmbë dhe, në pamundësi t’i bëjnë ballë me demagogji, me mashtrime këtij hovi luftarak të popujve, i pari po krijon vatra lokale për të arritur në luftë botërore dhe, i dyti përpiqet të demoralizojë popujt, jep “kontributin e tij të shquar” për t’i detyruar popujt të kapitullojnë ndaj agresorit amerikan, me fjalë të tjera përgatit terrenin për aleatin amerikan, në qetësimin ose më mirë në vënien në zap të këtyre forcave, të prapavijave, që ata të dy të mendojnë dhe të punojnë për përgatitjen përfundimtare të sulmit kundër socializmit e komunizmit në shkallë botërore.
I shikuar në këtë prizëm merr një kuptim ekzakt dhe konflikti arabo-izraelit. Ai është vatër e re zjarri dhe konfliktesh, në përfitim të amerikanëve dhe të sovjetikëve, të dominimit të tyre mbi naftën dhe rrugët kryesore të lundrimit, të nënshtrimit ndaj tyre të popujve arabë; inkurajim i agresorëve të vegjël, i veglës së tyre siç është Izraeli, që nëpërmjet problemeve të pazgjidhura dhe të mbajtura ngritur posaçërisht për të përgatitur agresione, i nxitin dhe i hedhin në luftëra lokale, për të krijuar turbullira, konflikte, luftëra dhe situata diplomatike të ndera.
E shtruar kështu çështja, atëherë mund të theksohet problemi i konfliktit arabo-izraelit me të gjitha tiparet, ushtarake, politike, diplomatike. Si konkluzion i kësaj çështjeje duhet të dalin në dukje, përveç të tjerave: – Ujdia amerikano-sovjetike. – Dominimi i OKB-së nga dy fuqitë e mëdha.
– Qëllimi i vërtetë demagogjik i shtruarjes së kësaj çështjeje në OKB nga sovjetikët, duke nxjerrë në pah se qëllimi kryesor dhe i vetëm është takimi Kosigin-Xhonson. Objektivat e këtij takimi: – Bilanci i përfitimeve për të dy nga agresioni izraelit, rrugët që do të ndiqen më tej, për të realizuar deri në fund planet e tyre ekspansioniste, kolonizuese.
Çuarja e problemit në Këshillin e Sigurimit do të thotë me u dhënë kohë manovrimeve për realizimin e planeve të tyre djallëzore. – Problemi i Vietnamit, problem kryesor për të dy krerët imperialistë. – Shuarja e revolucioneve në botë dhe veçanërisht në Amerikën Latine (vajtja e Kosiginit në Kubë). – Konsolidimi “i monopolist” bërthamor amerikano-sovjetik.
(Të gjitha këto probleme duhen shtruar si konkluzione reale politike.) Si perspektivë, për popujt arabë, përveç qëndrimit tonë të vendosur miqësor ndaj tyre, ne duhet të themi se ata e kanë për detyrë të forcojnë vigjilencën kundër imperializmit dhe revizionistëve sovjetikë.
Shpresa e fitores qëndron në popujt e tyre, në unitetin e këtyre forcave, e vetmja garanci për kapërcimin e çdo vështirësie, qëndron në unitetin e vendeve arabe kundër imperialistëve dhe revizionistëve modernë, duke mos e lejuar që ky unitet i madh dhe jetik të pengohet nga probleme të dorës së dytë, politiko-ekonomike.
Duhet që popujt arabë të mos e konsiderojnë kurrë veten të izoluar dhe të shkëputur nga lëvizjet e popujve të botës, të mos mendojnë kurrë se situatat janë të rënda, dhe se vetëm mbështetja te revizionistët sovjetikë do t’i nxjerrë nga këto situata.
Ky do të jetë gabimi më i madh. Asnjë koncesion këtyre armiqve. Koncesione dhe liri të plota popujve, pse vetëm në këtë rrugë kalitet uniteti i vërtetë i popullit, me udhëheqjen patriote. Rrugë tjetër nuk ka, rruga tjetër është nënshtrimi ndaj fuqive të huaja. Mundet edhe për çështjet e tjera, që unë nuk i prek, të bëhen përcaktime dhe formulime të qarta dhe të plota.
DURRES, E MARTE 25 KORRIK 1967
Duke u ndikuar nga zhvillimet e fundit të konfliktit të arabo-izraelit në Lindjen e Mesme, i dhashë disa porosi ministrit të Mbrojtjes, për të forcuar edhe më shumë mbrojtjen e Vlorës, për të përballuar çdo sulm të mundshëm ajro-detar. Vlora dhe Durrësi janë dy objektiva kryesorë të armiqve tanë, prandaj këto duhet t’i bëjmë të pakapërcyeshme, t’i bëjmë kështjella të pamposhtshme, ku armiku të thyejë kokën që në ditët e para. Armikun do ta godasim që në det, para se t’i afrohet bregut tonë.
Por ne me dispozita të veçantë duhet të sigurojmë mirë Karaburunin nga një desant ajror. Të sigurojmë të gjitha pikat e mbrojtjes së Vlorës, me qëllim që të mos kalojë dot asnjë armik. Që në hapat e parë të gjejë vdekjen e sigurt. Prandaj pikat e caktuara të vishen me mitraloza, me artileri dhe me mortaja. Për mbrojtjen e bregdetit, të shfrytëzohen edhe bonifikimet, që po bëjmë në këto zona.
E SHTUNE 5 GUSHT 1967
Njoftova ministrin e Mbrojtjes që lidhur me zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme, i cili ndodhet jo larg nesh dhe me rrezikun që kërcënon atdheun tonë, përveç masave që kemi marrë, duhet:
1) Regjimi në kufi të jetë i rreptë, në asnjë mënyrë i shkujdesur dhe të mos nënvleftësohet mundësia e provokacioneve me armë “për të krijuar atmosferën” që u duhet.
2) Të vërehet me kujdesin më të madh çdo gjë që ngjet në kufi dhe matanë, çdo lëvizje që konstatohet të na raportohet shpejt.
3) Kundërpërgjigjja provokacioneve të kontrollohet dhe të urdhërohet nga lart. Kufitarët t’u ruhen provokacioneve të armiqve, të jenë syshqiponja, vigjilentë dhe në gatishmëri të. plotë.
4) Punonjësit e organeve të sigurimit dhe populli të jenë vigjilentë në brendësi të kufirit, kundër grupeve të diversantëve dhe spiunëve që mund të hedhin armiqtë e jashtëm./ Memorie.al
