Alfred Lela ka deklaruar që ajo që i mungon sot PD-së është mundësia për të pasur zgjedhje në kushte të barabarta me qeverinë.
I ftuar në “Kjo Javë” Lela u shpreh se PD është duke funksionuar sot jashtë natyrës së saj, pasi ka përballë një kundërshtar që “luan” në një fushë të shtrembëruar.
“Partisë Demokratike, i mungon mundësia për të bërë garë të barabartë, zgjedhje të barabarta. Pra, i mungon fusha e lojës. Shtrembërimi i asaj që është thelbi i bashkëjetesës demokratike, që është fusha e barabartë e garës dhe e lojës, çon te të gjitha këto tjerat. Pra, e bën edhe Partinë Demokratike të jetojë jashtë natyrës së vet. A është Partia Demokratike duke jetuar jashtë natyrës së vet? Po, unë këtë nuk e mohoj. Por Partia Demokratike është e shtrënguar, sepse kundërshtari është i tillë, është i këtyre mjeteve, i këtyre psikozave, i këtyre hileve, i këtyre dredhive, i këtyre, po themi, cubliqeve apo trimërive. Po, fusha e lojës është e shtrembëruar dhe i bën të gjithë aktorët të shtrembërojnë rolet e tyre dhe të dalin jashtë pozicionit.
Partia Demokratike nuk ka pse të sillet si një parti në Gjeorgji ose në Rusi dhe nuk do të sillet ashtu, do të sillet si një parti në Europë. Por është e detyruar që të mbulojë kokën, të marrë skafandrën, të marrë kundragazin dhe të jetë gati për goditjet që vijnë nga të gjitha anët. Nga miqtë e huaj dhe të blerë dhe të shantazhuar dhe të korruptuar të kryeministrit, nga patronazhistët këtu brenda, nga gjyqtarët, prokurorët.
Shqipëria është në një pengesë për procesin e integrimit. Sepse ne e kemi parë McAllister, po më kujtohet, por janë dhe disa të tjerë që i kanë vënë kushte qeverisë. Testi ky është. Belinda Balluku. Çfarë bëri Edi Rama? Mbrojti Belindën Ballukun. Çfarë është ky? Është shtrembërim i fushës së lojës. Është zhbërje e rregullave mbi të cilat ne funksionojmë. Dhe prapë, pra, automatikisht ne vijmë tek një llogaridhënie ose llogari-kërkim i opozitës. Por opozita, ky është vendi ku është opozita. Ne nuk mund t’i kërkojmë një vend, një Danimarkë, për opozitën që jeton në Gjeorgji”, tha ai.
