Drejtori i Komunikimit në PD, Alfred Lela ka deklaruar që pasuritë e sekuestruara ndaj Ergys Agasit dhe personave të përfshirë në dosjen e AKSHI, është vetëm 1/7 e pasurive reale.

Në “Kjo Javë”, ai u shpreh se Agas dhe të ngjashmit e tij janë ata që kanë ndikuar edhe në rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare.

“Është dikush që e ka rrëmbyer thesin e votave me ata të fortët dhe pastaj shohim pronat e Gysit dhe shoqeve të Gysit që dalin dhe ato janë një e shtata e aisbergut.
Shumëzoi atë në daç me shtatë, në daç me dhjetë. Një luks që unë, ti dhe këta që na filmojnë dhe ata që na shohin, nuk e kanë. Ja ku doli Gysi i shoqeve të Ramës. Gabimi i një bojkoti reflektohet edhe në këtë që po kalojmë. Dy gabime të njëpasnjëshme, bojkotimi i zgjedhjeve dhe i parlamentit, sigurisht ka prodhuar këtë shfytyrim, pra këtë skenë atipike, skizofrenike politike në Shqipëri. Sigurisht, me stërmundimin, me gëzimin dhe me pompimin e një personazhi që quhet Edi Rama”, tha ai.

Lela foli edhe mbi protestat e opozitës, ku e fundit do të mbahet më 8 maj,

“Protesta është instrumenti politik për të thënë që jemi këtu, e dimë çfarë po bën, nuk dorëzohemi, rezistojmë, nuk ta falim, do jemi këtu deri në fund, me të gjitha mjetet, një prej tyre është protesta. Pra, për të thënë që populli del, populli bashkohet, populli reziston, pavarësisht të gjitha shantazheve, gazit, ujërave dhe përndjekjeve që u bëhet protestuesve nëpër qytet. Skenarët që mund të ndiqen janë të shumta, po do të ketë vazhdimisht diversifikim, siç edhe ka patur. Jemi ende në fazë diskutimi për skenarët që do të ndiqen”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb