Profesori i Sociologjisë Edmond Dragoti ka komentuar rastin e rëndë të vetëvrasjes së 25-vjeçares Xhuana Nikolli, e cila i dha fund jetës pasi konsumoi fostoksinë, ndërsa dyshohet se kishte qenë viktimë e dhunës së vazhdueshme nga ish-partneri ose partneri i saj.

I ftuar në News24, Dragoti theksoi se vendimi për t’i dhënë fund jetës nuk është një reagim i momentit, por zakonisht është rezultat i një periudhe të gjatë dhune dhe mungese shprese.

Sipas tij, për të arritur deri në një akt të tillë ekstrem, viktima duhet të ketë përjetuar një presion të vazhdueshëm psikologjik dhe social.

“Të arrish në gjendjen e vetëvrasjes duhet të kesh pasur një dhunë sistematike, një kohë të gjatë pa rrugëdalje, pa zgjidhje të situatës, pa shpresë. Kjo e çon personin drejt marrjes së vendimit për t’i dhënë fund jetës. Nuk është një vendim i çastit, kërkon një dhunë sistematike”, u shpreh Dragoti.

Profesori i sociologjisë shtoi se në raste të tilla shpesh mungon mbështetja e mjaftueshme nga rrethi i afërt i personit që përjeton dhunë.

“Ndoshta ajo ka kërkuar mbështetje nga njerëz të afërt, nga familjarë apo të njohur, por nuk e ka gjetur këtë ndihmë dhe përfundimisht ka marrë vendimin për t’u ndarë nga jeta”, tha ai.

Në përfundim, Dragoti theksoi se shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet më shumë për rastet e dhunës dhe se ligji duhet të veprojë në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe pa kufizime për të mbrojtur viktimat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb