Atentati ndaj çiftit Mujeci që ndodhi vetëm pak ditë më parë tronditi opinionin publik. Një nga personat e shpallur në kërkim, Besnik Kolndreu, në një reagim për News24, ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, as ai dhe as familja e tij dhe se është i frikësuar se mund të hyjë në gjak, pa pasur asnjë faj.
Në banesën e tij u gjet një nga automjetet e përfshira në ngjarje, por 40-vjeçari pretendon se gjatë kohës që ka ndodhur atentati ka qenë rrugës për në Malin e Zi, atje ku edhe jetën e punon, së bashku me familjen.
“Mua po më shkatërrohet e gjithë familja.. e ardhmja e fëmijëve të mi. Puna ime dhe i gjithë mundi i gjithë këtyre viteve, plus duan të më futin në gjak me një familje me të cilët kurrë nuk kemi patur problemin më të vogël. Prandaj i lutem shtetit që çështjen tonë ta shikojnë me imtësi dhe profesionalitet sepse këtu nuk është vetëm shteti dhe burgu ku duan të më futin pa patur asnjë faj, por dhe gjaku, dhe ne nuk duam të biem në gjak me askënd pa na pasur borxh dhe pa ju pasur borxh”, thuhet në reagimin e tij për News24.
Kolndreu shprehet se as ai dhe as familja e tij nuk kanë pasur dijeni mbi ngjarjen dhe se për atentatin e kanë marrë vesh nga një postim në rrjetet sociale.
“Familjarisht nuk kemi pasur dijeni që personat do të vinin në shtëpinë tonë. Që familjarisht asnjë pjesëtar i familjes tonë nuk ka qenë pjesëtar i grupit në vrasjen e çiftit Mujeci.
Unë me nusen dhe fëmijët kam qenë rrugës për në Mal të Zi sepse këtu punoj dhe jetoj prej 6 vitesh kur nusja ime duke parë në TikTok më tha: o Zot çfarë paska ndodhur… paskan vrarë çiftin Mujeci dhe aty kam mësuar për vrasjen. Tani dua t’u them diçka… jam 40 vjeç.. kam punuar 25 vite që në të 40-at të arrij të bëj një firmë ndërtimi.. që ata që më njohin e dinë mirë me çfarë mundimi. Si mundet dikush në këtë situatë si unë të shkatërrojë familjen, biznesin, veten, fëmijët, të bie dhe në gjak për një fis tjetër që nuk janë as Kolndreaj as xhaxhallarë, as vëllezër, as kushërinjtë e mi”, tha ai.
