Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me mungesën e aplikimit të Shqipërisë për fondet e programit IPARD 3 të Bashkimit Evropian.

I ftuar në emisionin Studio24News24, Panariti iu referua një deklarate të fundit nga Komisioni Evropian, sipas së cilës Ministria e Bujqësisë ende nuk ka paraqitur aplikim për fondet IPARD 3.

Sipas tij, arsyeja lidhet me kushtet strikte që kërkon aplikimi. “Do të thotë të paraqesësh një dosje të plotë garancish që fondet nuk do të abuzohen, që procedurat do të ndiqen sipas kritereve dhe se do të ketë reflektim për abuzimet e mëparshme”, u shpreh Panariti. Ai theksoi se kjo përfshin edhe rikthimin e fondeve të mëparshme të keqpërdorura.

Panariti nënvizoi se Komisioni Evropian ka të drejtën ekskluzive për të vendosur nëse fondet do të hapen ose jo, ndërsa i cilësoi fondet IPARD si jetike për sektorin bujqësor. “Janë oksigjen për bujqësinë shqiptare sepse janë konsistente”, tha ai.

Sipas ish-ministrit, mungesa e këtyre fondeve gjatë tre viteve të fundit ka ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e sektorit. “Bujqësia po rrudhet me ritme galopante dhe Shqipëria po humbet pozicionin e saj konkurrues në treg”, paralajmëroi Panariti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb