Zhvillimet e fundit në hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku kanë qenë në fokus të diskutimeve në emisionin “Studio24”, ku i ftuar ishte deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso.

Duke komentuar vendimin e GJKKO që i hap rrugë SPAK për të zbërthyer pajisjet elektronike të sekuestruara, Kaso e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv për hetuesit.

“Është lajm i mirë për prokurorët. SPAK ka vënë bast publik në lidhje me reputacionin dhe kjo i jep një marsh tjetër çështjes së hetimeve,” u shpreh ai.

Sipas deputetit demokrat, rëndësia e këtij vendimi lidhet edhe me faktin se bëhet fjalë për materiale të sekuestruara që para Vitit të Ri, të cilat mund të përmbajnë të dhëna me vlerë për hetimin.

Ai theksoi se kompleksiteti i çështjes dhe numri i madh i personave të përfshirë kanë sjellë vonesa procedurale.

“Në hetime kaq komplekse dhe me kaq shumë persona të përfshirë, ka pengesa procedurale, pasi çdo personi që i është sekuestruar pajisja duhet të dëgjohet para gjykatës. Besoj se koha është ezauruar dhe ndaj ka vonuar procedura,” deklaroi Kaso.

Duke iu referuar përmbajtjes së mundshme të komunikimeve që mund të dalin nga pajisjet e sekuestruara, ai paralajmëroi zhvillime të tjera të bujshme.

“Nëse komunikimet do jenë si ato që ishin mes Ballukut dhe Evis Berberi, do dëgjojmë çudira të tjera. Këto çudira do jenë në domain publik pas kësaj, nëse do jenë aty,” u shpreh deputeti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb