Ende ka konfuzion në lidhje me bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi se vendet kishin zhvilluar bisedime “konstruktive”.
BBC në analizën e saj shkruan se zyrtarët iranianë mohuan çdo bisedë thelbësore midis dy kombeve dhe si pasojë Shtëpia e Bardhë doli me një tjetër deklaratë duke thënë se situata ishte “e paqëndrueshme”.
Sipas raportimeve i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, mund të takohet me zyrtarë iranianë këtë javë në Pakistan.
Çmimi i naftës ra pasi Trump përmendi mundësinë e bisedimeve, përpara se të arrinte përsëri në më shumë se 100 dollarë për fuçi.
Gjatë natës në terren, Irani lëshoi raketa drejt Izraelit, duke shkaktuar dëme në ndërtesa në Tel Aviv dhe në Izraelin qendror. Në Liban, media shtetërore raportoi sulme izraelite në Bejrut gjatë natës dhe këtë mëngjes ushtria izraelite bëri thirrje që banorët në jug të evakuoheshin, ndërsa përgatitej të synonte më shumë infrastrukturë të Hezbollahut.
Kancelarja e Mbretërisë së Bashkuar, Rachel Reeves, do të përqendrohet sot në ndikimin ekonomik, kur të informojë deputetët në Dhomën e Komunave se si situata në Lindjen e Mesme po ndikon në Mbretërinë e Bashkuar.
Pritet që ajo të përcaktojë disa parime se si të mbështeten njerëzit nëse faturat e energjisë rriten ndjeshëm në muajt e ardhshëm.
