Egnatia vijon të mbetet në një pozicion të favorshëm në garën për titull, edhe pse në javët e fundit nuk ka arritur të marrë maksimumin.
Barazimet ndaj dy rivalëve direkt si Vllaznia dhe Elbasani mund të konsiderohen si hapa të kujdesshëm. Ajo që ka rëndësi është fakti se Egnatia ia doli të ruajë diferencën prej dy pikësh ndaj tyre, një avantazh që e mban plotësisht në garë për titullin kampion. Në këtë fazë të sezonit, çdo pikë ka peshë dhe fakti që diferenca është ruajtur, tregon stabilitetin e skuadrës. Në kampin rrogozhinas, megjithatë, është e qartë se tani kërkohet më shumë. Barazimet mund të kenë qenë të favorshme në një këndvështrim të përgjithshëm, por për të synuar kreun, skuadra duhet të rikthehet tek fitoret dhe të rrisë ritmin e saj në momentin më vendimtar të kampionatit.
KALENDARI – Në këtë aspekt, Egnatia duket se ka një avantazh të rëndësishëm. Katër javët e ardhshme mund të konsiderohen si një mundësi e artë për të marrë kryesimin. Kjo për faktin se përballë do të ketë skuadrat që mbyllin klasifikimin, të cilat në letër duken kundështarë të kalueshëm. Rrogozhinasit fillimisht do të përballen me Bylisin në shtëpi, për të vijuar më pas me transfertën ndaj Tiranës në kryeqytet, që konsiderohet edhe sfida më delikate e këtij cikli. Më pas, kalendari bëhet edhe më i favorshëm, pasi dy takimet e tjera do të zhvillohen në Rrogozhinë. Në shtëpi do të presin Flamurtarin dhe Vorën, duke rritur ndjeshëm shanset për të marrë maksimumin e pikëve. Faktori fushë pritet të luajë një rol kyç, sidomos në këtë pikë të sezonit ku çdo skuadër synon maksimumin për të arritur objektivat.
OBJEKTIVI 12 PIKË – Në letër, janë të gjitha mundësitë për të siguruar maksimumin në këto katër përballje. Për Egnatian, synimi është i qartë: 12 pikë në katër ndeshjet e ardhshme. Një objektiv ambicioz, por i arritshëm duke parë kalendarin dhe formën e përgjithshme të skuadrës. Megjithatë, siç ndodh shpesh në futboll, ndeshjet që duken më të lehta në letër mund të rezultojnë më të vështirat në fushë. Pikërisht për këtë arsye, Egnatia duhet të tregojë seriozitet maksimal dhe të mos lejojë asnjë hap fals. Nëse arrin të realizojë këtë objektiv, atëherë këto katër javë mund të jenë vendimtare për të marrë kryesimin dhe për t’u kthyer në favoritin kryesor për titullin kampion. Rrogozhinasit janë fituesit e dy viteve të fundit të kampionatit dhe nuk e kanë fshehur për asnjë moment ambicien që edhe këtë sezon ta mbajnë titullin në Rrogozhinë.
