Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama, mori pjesë në aktivitetin për 35-vjetorin e PS në Berat.
Nga piramidat te drejtimi i PS nga Fatos Nano, Rama u shpreh se me rënien e skemave piramidale, shqiptarët humbën kursimet e tyre dhe se nga ajo periudhë, sipas tij, “lindi Partia Socialiste”.
Ai theksoi se historia e Partisë Socialiste lidhet me një proces transformimi politik dhe shoqëror, duke shtuar se formimi dhe rruga e saj nuk lidhen vetëm me ndryshime infrastrukturore apo urbane.
Sipas tij, ky është një dallim thelbësor mes Partisë Socialiste dhe kundërshtarëve të saj politikë.
“Kur ranë Piramidat, mashtrimi më i madh, u përpinë të gjitha kursimet e shqiptarëve. Ishte ai regjim aty që i thoshte; futini lekët aty se janë të pastra. Nga ato rrënja doli PS. U udhëhoq nga kryetari i PS-së që doli nga burgu, i mbajtur padrejtësisht në burg. E kujtoj këtë midis historisë së kahershme dhe më pastaj, që nuk është një dallim që lidhet me rrugët, apo me transformimin e qyteteve. Ndër shumë gjëra që PS ka merita historike është fakti që edhe pse doli nga një tunel i gjatë, erdhi në qeveri me në krye me liderin e vetë të dalë nga burgu dhe për asnjë ditë të vetme nuk iu thirri shpirtrave hakmarrës, apo t’u fliste çdo njeriu për të marrë hak. Ai foli me zërin e paqëtimit, të ndërtimit dhe jo të shkatërrimit. Ky është një dallim i madh midis nesh dhe atyre sot e gjithë ditën. Nëse pyet çdo shqiptar; ja ku janë forcat politike, me kë më identifikon fjalët që do të them. Përçarje- jo me PS. Progres-natyrisht me PS. Shkatërrim, rrëmujë, sherr, konflikt, shpifje, baltë, asnjëherë me PS. Ndërtim, rregull-përpjekje për të zhvillim, pastrim, gjelbërim, kudo ku qeveris PS, këto janë fjalët kyçe. Një nga gjërat që më vjen mirë, është kur shoh duke lëvizur me makinë në Tiranë, kur shoh se si janë rritur ato pemë kur mbollëm në 2001-2002.”, tha ai.
