Një aksident tragjik ajror ka tronditur Nju Jorku, pasi një avion pasagjerësh i tipit CRJ-900, i operuar nga Jazz Aviation në emër të Air Canada, u përplas me një kamion zjarrfikës gjatë uljes në Aeroporti LaGuardia më 23 mars, duke lënë të vdekur pilotin dhe bashkëpilotin. Nëntë persona të tjerë u plagosën dhe u transportuan në spital, mes tyre edhe një asistente fluturimi.

Mes të mbijetuarve është stjuardesa Solange Tremblay, shpëtimi i së cilës është cilësuar si mrekulli nga familjarët. Vajza e saj, Sarah Lépine, deklaroi se në momentin e përplasjes sedilja e saj u hodh mbi 100 metra larg avionit dhe ajo u gjet ende e lidhur në të. Tremblay ka pësuar fraktura të shumta dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për një këmbë të thyer, ndërsa prej 26 vitesh punon si asistente fluturimi për Jazz Aviation.

Kryeministri kanadez Mark Carney e cilësoi ngjarjen “thellësisht të keqardhshme”, ndërsa presidenti i sindikatës së pilotëve, Jason Ambrosi, e përshkroi humbjen e dy pilotëve si një tragjedi të rëndë personale dhe shprehu solidaritet me familjet.

Sipas analizës së regjistrimeve të kontrollit të trafikut ajror, pak para përplasjes kontrollorët kishin dhënë leje që një automjet të kalonte një pjesë të pistës, por më pas u përpoqën ta ndalonin, duke theksuar se ishte e vështirë të shihej. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit. Një video tronditëse e publikuar nga New York Post tregon momentin kur avioni përplaset me shpejtësi të lartë me kamionin zjarrfikës në pistë, duke e kthyer ngjarjen në një nga incidentet më të rënda të kohëve të fundit në një aeroport që konsiderohet ndër më të sigurtit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: