Sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit, të nisura më 28 shkurt, po shkaktojnë pasoja të rënda ekonomike përtej rajonit, ndërsa mbyllja e Ngushtica e Hormuzit ka bllokuar zinxhirët e furnizimit dhe tregtinë detare. Një nga sektorët më të prekur është ai i eksportit të makinave të përdorura nga Japonia drejt tregjeve në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Biznesmeni Umar Ali Haider Ali, i cili operon prej dy dekadash në Japoni, tregoi për Reuters se një ngarkesë me mbi 500 automjete të kompanisë së tij mbeti e bllokuar në det, pasi portet në Sri Lanka u mbushën me cisterna që nuk mund të lëviznin drejt Dubai. Automjetet u shkarkuan vetëm pas më shumë se 10 ditësh vonesë në portin e Hambantotës. Kriza ka shkaktuar “panik” mes kompanive të transportit detar, me disa që kanë anuluar dërgesat dhe të tjera që kanë kërkuar tarifa shtesë apo depozita të larta për transportin. Disa kompani kanë propozuar devijimin e mallrave drejt porteve në Pakistani ose Kina, ndërsa ekziston rreziku që një pjesë e automjeteve të kthehen mbrapsht në Japoni.
Kompania e tij, Kobe Motor, eksporton rreth 18,000 makina në vit, kryesisht drejt Sri Lankës, ndërsa aktualisht ka edhe dhjetëra automjete luksoze të markave si Rolls-Royce, Lamborghini dhe Ferrari të bllokuara në porte në Azi, pasi nuk mund të transportohen drejt tregjeve në Lindjen e Mesme.
Industria globale e makinave të përdorura, e dominuar nga eksportues të vegjël në Japoni dhe Kore të Jugut, po përballet me presione të shumta. Vitin e kaluar, të dy vendet eksportuan automjete të përdorura me vlerë rreth 19 miliardë dollarë, me një pjesë të madhe të destinuar për Lindjen e Mesme. Emiratet e Bashkuara Arabe ishin ndër importuesit kryesorë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse konflikti vazhdon, eksportuesit do të përballen me kosto më të larta të naftës dhe transportit, luhatje të monedhave dhe reduktim të rrugëve detare, duke thelluar krizën në një sektor që varet ndjeshëm nga stabiliteti i rrugëve ndërkombëtare të transportit.
