Analisti Edvin Kulluri ka bërë një analizë për çështjen e Erion Veliaj, duke komentuar edhe reformën në drejtësi.
Gjatë një intervistë në “News24”, Kulluri, tha se vendimi i gjykatës duhet pranuar gjithmonë. Megjithatë shtoi se gjykata sot është e pavarur nga qeveria dhe se sot reforma ka dhënë një garanci substanciale.
Ndërsa më tej theksoi se sulmet personale të Erion Veliaj ndaj prokurorëve, i sheh si të tepërta.
“Gjykata duhet te jetë siç është sot e pavarur nga qeveria. Më pas na pëlqen apo jo vendimi më pas është çështje tjetër. Të paktën sot reforma ka dhënë një garanci substanciale SPAK dhe GJKKO. Përderisa kanë hetuar dhe gjykuar persona nga të gjitha krahët e politikës ku dominon mazhoranca kjo është për t’u vlerësuar. Ndaj kemi thënë që heqja e imunitetit të Ballukut duhet të ishte i padiskutueshëm nga parlamenti shqiptar. Ndërsa për çështjen Veliaj nuk besoj se do kanalizohet në të tjera shina. Nëse njerëzit kanë shkelur ligjin besoj që prokurorët nuk janë çmendur, por edhe nëse çmenden është sistemi që garanton ligjin. Pra duhet një gjykim i drejtë, i barabartë dhe i paanshëm. Pra besoj që prokurorët edhe kur ka gabojnë ka një instancë që mund të rrëzojnë një pretencë të gabuar. Kur diskutohet që ke bërë dëm interesit publik në shifra marramendëse dhe kur dikush kapet për hashash ku ka disproporcion…Sa për çështjen Veliaj, e vetmja gjë që nuk shkon është fjalori dhe sulmet personale të zotit Veliaj ndaj prokurorëve”, tha ndër të tjera ai.
Ndërkohë, avokati i Erion Veliaj, ish-deputeti socialist Plarent Ndreca deklaroi se kryebashkiaku nuk ka asnjë avantazh në këtë rast, duke shtuar se ai është në burg si qytetarë të tjerë.
“Veliaj nuk ka asnjë avantazh si politikan, ai është prej 13 muajsh në burg, si një qytetar. Edhe pse ai nuk zhvishet nga kostumi i politikanit. Në procesverbal nuk është thënë se oficerët kanë shkuar me dosje në qeli. Vetëm në zyrën e pritjes mund të shkojnë me dosje. Oficerët e Policisë gjyqësore kanë shkuar një ditë pas vendimit dhe kanë arritur që të printojnë 60 mijë dosje. Nuk është proces kaq formal kur i thonë oficerët, ndaç merri kështu, ndaç mos i merr.”, tha ai.
