Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ka komentuar shqyrtimin në Gjykatën e Lartë të rekursit të kryebashkiakut Erion Veliaj kundër masës së sigurisë “arrest në burg”, duke theksuar se vendimi që pritet më 28 maj mund të krijojë precedent edhe për figura të tjera të larta politike nën hetim.

Sipas Lalës, Gjykata e Lartë është e detyruar të shqyrtojë rekursin dhe të japë vendim brenda ditës, përveç rasteve të jashtëzakonshme.

“Gjykata e Lartë është e detyruar që ta shqyrtojë rekursin e zotit Veliaj kundër masës së sigurisë ‘arrest në burg’ dhe duhet të dalë me një vendim po brenda ditës”, u shpreh ajo.

Gazetarja theksoi se çështja e Veliajt do të jetë testi i parë real për zbatimin e vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë mbi masat e sigurisë.

“Ka një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë që ndryshoi pjesërisht praktikën gjyqësore dhe unifikoi praktikën për masat e sigurisë. Gjykata duhet të argumentojë pse masat alternative si garancia pasurore, arresti në shtëpi apo detyrimi për paraqitje nuk janë të përshtatshme dhe pse arresti në burg është masa e vetme”, tha Lala.

Sipas saj, Veliaj mbështetet në disa argumente kryesore në kërkesën për lirim.

“Veliaj pretendon se është një i zgjedhur vendor që qeveris thuajse 1/3-ën e shqiptarëve. Pretendon që hetimi ka përfunduar dhe nuk ka mundësi të prishë prova apo të intimidojë dëshmitarë. Gjithashtu thotë se ka qenë i hapur ndaj hetimit dhe nuk ka tentuar të largohet”, deklaroi gazetarja.

Nga ana tjetër, sipas saj  SPAK kundërshton lirimin duke u mbështetur në dy elementë kryesorë.

“SPAK pretendon që ka dy momente ku ndalet dhe i evidenton në gjithë prapashtresat ose kundërshtimet në raport me kërkesën e zotit Veliaj. Së pari, pretendon që në dosje ka një bashkëpunëtore drejtësie e cila mund të vihet lehtësisht nën presion nëse zoti Veliaj lirohet. Dhe së dyti, ka një fraksion dy të dosjes e cila është duke u hetuar dhe ka të bëjë pikërisht me aktivitetin e kompanisë së vëllait të tij, Arbër Veliaj. Janë marrë… janë këqyrur disa dokumenta, disa praktika, disa dosje, ka pasur edhe procese gjatë kësaj kohe. Ka një sërë veprimesh intensive hetimore në raport me këtë.”, tha Lala.

Ajo nënvizoi se vendimi që do të japë Gjykata e Lartë mund të ndikojë edhe në rastet e tjera të bujshme.

“Vendimi për zotin Veliaj mund të hapë një shteg edhe për zyrtarë të tjerë të lartë që ndodhen nën masën ‘arrest në burg’, si Ilir Beqaj, ish-presidenti Ilir Meta dhe të tjerë”, përfundoi gazetarja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb