Partia Mundësia ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, me përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të Bashkive dhe për këshilltarë bashkiakë.

“Mundësia” do të garojë me kandidatët e saj në të gjitha Bashkitë e Shqipërisë, teksa kryetari Agron Shehaj ka bërë thirrje që qytetarë të interesuar për t’u bashkuar me forcën politike që ai drejton, të përfshihen në këtë proces.

“Ne do të jemi prezentë në të gjitha Bashkitë e Shqipërisë me kandidatët tanë për Bashkitë dhe për këshilltarët bashkiakë. Sot kemi filluar dhe me takimet me kandidatë që duan, me qytetarë që duan të na afrohen dhe duan të bëhen pjesë e garës për Bashkitë në të gjithë Shqipërinë. Pres nga secili prej jush që të vijë, të propozohet, të na bashkohet. Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Na duhen pothuajse 1600 kandidatë për këshillat bashkiakë”, shprehet Shehaj në videon e publikuar në rrjetet sociale.

Thirrja e Agron Shehajt u bë pas një takimi me koordinatorët e forcës politike në të gjithë vendin, të cilët kontribuuan në mbledhjen e 100 mijë firmave në mbështetje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

Gjatë fjalës së tij, Shehaj vlerësoi angazhimin e strukturave dhe besimin e qytetarëve në këtë iniciativë të rëndësishme.

Agron Shehaj: Të dashur miq, jemi mbledhur me koordinatorët e Partisë Mundësia, që mundësuan mbledhjen e 100 mijë firmave në mbrojtje të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit.
Bravo grupi.
Dukej e pamundur që do të arrinim të mblidhnim një numër kaq të madh firmash.
Më lejoni të falënderoj secilin prej jush, secilin prej 100 mijë firmëtarëve që patën besim tek iniciativa jonë.
Tani puna e Partisë Mundësia nuk mbaron me kaq, përkundrazi. Tani fillon organizimi për zgjedhjet për Bashkitë.
Nuk është shumë shpejt, përkundrazi. Mund të jemi edhe shumë vonë.
Ne do të jemi prezentë në të gjitha Bashkitë e Shqipërisë me kandidatët tanë për Bashkitë dhe për këshilltarët bashkiakë.
Sot kemi filluar dhe me takimet me kandidatë që duan, me qytetarë që duan të na afrohen dhe duan të bëhen pjesë e garës për Bashkitë në të gjithë Shqipërinë.
Pres nga secili prej jush që të vijë, të propozohet, të na bashkohet.
Kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve.
Na duhen pothuajse 1600 kandidatë për këshillat bashkiakë.
Partia Mundësia në zgjedhjet e ardhshme do të hyjë në çdo Bashki të Republikës së Shqipërisë.
Pres nga ju që të vetëkandidoheni dhe të na kontaktoni.
Bravo
Ju presim

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb