Meta dhe YouTube konsiderohen fajtore se kanë krijuar varësi, ankth dhe depresione tek një përdoruese 20-vjeçare. Rezultati i këtij rasti mund të ketë ndikim të rëndësishëm për qindra padi të ngjashme.

Koncerni Facebook Meta dhe platforma e videove YouTube e Google humbën një proces gjyqësor në SHBA lidhur mepotencialin e shërbimeve online për të krijuar varësi tek përdoruesit. Juria e gjykatës në Los Anxhelos arriti në përfundimin se platformat kanë vepruar me pakujdesi dhe nuk i kanë informuar mjaftueshëm përdoruesit për rreziqet.

Sipas vendimit juria i akordoi paditëses 20-vjeçare një dëmshpërblim prej tre milionë dollarësh, nga të cilat 70 për qind duhet të paguhen nga Meta. Google njoftoi se do ta apelojë vendimin, duke theksuar se YouTube nuk bën pjesë në kategorinë e rrjeteve sociale. Koncerni Meta tha se nuk pajtohet me vendimin dhe po shqyrtojnë opsionet ligjore.
Paditësja i kishte akuzuar platformat se i kanë dizajnuar shërbimet në mënyrë të qëllimshme për të krijuar varësi tek përdoruesit, për shembull përmes funksionit të pafund “scroll”. Sipas saj ajo kishte filluar t’i përdorte këto platforma që në fëmijëri dhe i lidh depresionin dhe ankthin që ka, me përdorimin e këtyre platformave.

Para jurisë në Los Anxhelos dëshmoi edhe shefi i Meta-s, Mark Zuckerberg.Fotografi: Ryan Sun/AP Photo/dpa/picture alliance
Padia qe drejtuar kundër YouTube dhe platformës Instagram, që i përket Meta-s. Kompanitë pas konkurrentëve Snapchat dhe TikTok e shmangën procesin përmes një marrëveshjeje.

Rezultati i këtij rasti mund të ketë ndikim të rëndësishëm për qindra padi të ngjashme. Meta dhe Google i hodhën poshtë akuzat. Para jurisë dëshmoi edhe shefi i Meta-s, Mark Zuckerberg.

Para procesit në Los Anxhelos një juri në shtetin amerikan Nju-Meksiko e dënoi Meta-n me një gjobë prej 375 milionë dollarësh, duke arritur në përfundimin se kompania nuk kishte marrë masa të mjaftueshme për të mbrojtur përdoruesit e rinj. Meta ka paralajmëruar se do ta apelojë edhe këtë vendim./ DW

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb