Qeveria ka miratuar vendimin për ngritjen e komisionit për çmimin e barnave, qëllimi i të cilit është garantimi i transparencës, stabilitetit dhe sigurisë në tregun e barnave në Shqipëri. Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, tha se vendimi vjen si përgjigje ndaj nevojës për metodologjinë e përcaktimit të çmimit të barnave, përshpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna për qytetarët.
Evis Sala theksoi:“Ndryshimet synojnë garantimin e disponibilitetit të barnave në treg, duke shmangur rrezikun për mungesa, veçanërisht barnat që janë alternativa të vetme në listën e rimbursimit apo përdorimit spitalor. Rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në procesin e përcaktimit të çmimeve. Përshpejtimin e afateve dhe përshpejtimin e procedurave, duke përfshirë edhe përdorimin e dokumentacionit elektronik në përputhje me procesin e dixhitalizimit të administratës”.
E pyetur mbi mungesën e analizave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Sala tha se po mblidhen të gjitha të dhënat që më pas të reflektohen në ndërhyrje të shpejtë.
Sala shtoi: “Aktualisht po vlerësojmë të dhënat. Mbledhja e të dhënave dhe planifikimi janë në shërbim. Kemi mbledhur të dhënat dhe nëse nuk mungojnë, do ta zgjidhim brenda këtij viti”.
Ministrja theksoi se po punohet për të mundësuar që të mos ketë mungesë barnash.
