Mikaela Shifrin nuk la vend për përmbysje. Skiatorja amerikane hyri në finalen e sllallomit gjigant të Kupës së Botës në Lillehammer të Norvegjisë, e vetëdijshme se Globin e Madh të Kristaltë mund ta humbiste vetëm në rast të një gabimi.
I mjaftonte të përfundonte mes 15 më të mirave. Për më tepër, nëse nuk do të merrte pikë, gjermanes Ema Aisher do t’i duhej të fitonte në një disiplinë që nuk është pika më e forta e saj. Shifrin përfundoi e njëmbëdhjeta pas dy zbritjeve. Kështu, Globi i përgjithshëm i Kristaltë është sërish i saj. Ky është i gjashti, pas atyre të fituar në vitet 2017, 2018, 2019, 2022 dhe 2023, duke barazuar rekordin e ikonës austriake, Anemarie Moser-Proll.
Amerikania mbyll kështu një sezon në të cilin fitoi globin e saj të nëntë në sllallom, duke kaluar tetë titujt e Ingemar Stenmark (sllallom) dhe Lindsi Vonn (zbritje). Ajo arriti në 110 fitore në Kupën e Botës dhe fitoi medaljen e artë në sllallomin olimpik të “Milano-Cortina”, pasi kishte mbetur pa medalje në Lojërat Olimpike “Pekin 2022”. Në garën e djeshme të sllallomit gjigant në Lillehammer, ajo e mbylli zbritjen e parë me kohën e 17-të më të mirë (1:09.45). Aisher, e cila e shtyu vendimin për Globin edhe një ditë falë vendit të tretë në finalen e sllallomit të martën (të fituar nga Shifrin), përfundoi e treta (1:08.16), në një raund të dominuar nga kanadezja Valerie Grenier (1:07.90).
Në zbritjen e dytë, Shifrin përfundoi e shtata (1:09.36). Aisher (1:10.67) regjistroi kohën më të dobët mes 27 skiatoreve. Shuma e kohëve e renditi amerikanen në vendin e 11-të (2:18.81), një rezultat më se i mjaftueshëm për të fituar Globin e Madh. Lotët i dolën në sy sapo u shpall kampione. Grenier fitoi garën e sllallomit gjigant (2:16.79), me norvegjezen Mina Furst Holtman në vendin e dytë (2:17.22) dhe austriaken Julia Sheib në vendin e tretë (2:17.36), e cila e kishte siguruar matematikisht Globin e kësaj disipline prej 10 ditësh. Ndërkohë, Aisher u rendit e dymbëdhjeta (2:18.83), duke e përfunduar në vendin e dytë kompeticionin. Për sa i përket meshkujve, triumfi në Kupën e Botës shkoi për zviceranin Marko Odermat, i cili ka bërë një sezon dominues, duke fituar me diferencë të madhe ndaj vendit të dytë, brazilianit Lukas Pinheiro.
LARA KOLTURI – Në garën e fundit të sllallomit gjigant që mbylli zyrtarisht Kupën e Botës, dje konkurroi edhe Lara Kolturi. Kjo disiplinë edhe një herë tjetër u konfirmua që nuk është e preferuara për skiatoren kuqezi. Kolturi u rendit e 11-të në zbritjen e parë dhe 23-ta në të dytën, duke e përfunduar garën në vendin e 17-të, me diferencë +2.45 nga kreu. Lara e mbyll kështu klasifikimin e përgjithshëm final të Kupës së Botës në vendin e 15-të, por duke marrë çmimin “Ylli i së ardhmes”, trofe që jepet për skiatoren më të mirë për kategorinë e të rejave. Një titull që tregon se 19-vjeçarja ka një të ardhme të madhe përpara, duke shpresuar që të vazhdojë të jetë pjesë e Shqipërisë. “Ishte një sezon i gjatë, me gara të bukura dhe emocione. Tani dua të çlodhem të pushoj pak dhe të filloj pastaj punën për sezonin e ardhshëm. Kam mësuar shumë dhe e di se ku duhet të përmirësohem për të arritur rezultate më të mira”, ishte komenti i Larës për “Rtsh Sport” në përfundim të garës së djeshme në Norvegji, etapë që shënoi fundin e Kupës së Botës 2025-2026.
