Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka marrë një vendim shumë të guximshëm për duelin ndaj Polonisë, sa i përket emrave të përzgjedhur në formacionin titullar të skuadrës, pasi ka të tillë që kanë pak minuta në këmbët e tyre në vitin 2026.
Duke filluar nga mbrojtja, ku Hysaj ka luajtur vetëm 11 minuta që nga janari me ekipin e Lacios. Në këtë rast, Silvinjo është ndikuar nga eksperienca e mbrojtësit e ndoshta edhe sepse zëvendësuesi i tij direkt, Ivan Balliu, nuk është se ka shkëlqyer me ekipi e vet, 199 minuta në 3 muaj ne fanellën e Rajo Vajekanos.
Shumë më i guximshëm duket vendimi për të aktivizuar Bajramin në repartin e avancuar, duke pasur parasysh se numri 10 i Shqipërisë, në këtë vit në total ka luajtur vetëm 141 minuta e shpesh ka ndjekur ndeshjet nga tribuna me fanellën e Rejnxhërs. Vetëm 39 minuta në muajin e fundit ka edhe Arbër Hoxha, i cili ka ardhur nga një periudhë inaktiviteti me ekipin e Dinamo Zagreb.
Të gjitha zgjedhje shumë të diskutueshme nga Silvinjo, duke pasur parasysh se në pankinë ka lojtarë që kanë luajtur rregullisht me klubet e tyre si Muçi e Mehmeti e të cilët padyshim janë në një formë më të përshtatshme sportive se emrat e mësipërm.
