Shqipëria i dha fund ëndrrës për të marrë pjesë për herë të parë në Botëror dhe ky eliminim erdhi në mënyrën më të dhimbshme për kuqezinjtë.
Skuadra e drejtuar nga Silvinjo, zhvilloi mbrëmjen e së enjtes një ndeshje shumë të mirë në Varshavë, e madje pati rastet më të mira për të shënuar, për të mbyllur ndeshjen dhe për t’u larguar me kokën lart nga kjo sfidë. Megjithatë, rastet e humbura kushtuan shumë dhe përveç eliminimit, nxorën në pah probleme të shumta të skuadrës sonë, duke nisur që nga mënyra e drejtimit, te menaxhimi i lojtarëve apo edhe te vetë qasja e skuadrës në fushë.
Ndeshje të tilla, nuk të falin dhe nuk të japin mundësinë për të përmirësuar diçka për të ardhmen duke qenë se vetë formati i këtij kompeticioni nuk e lejon diçka të tillë sepse bëhet fjalë për ndeshje teke dhe me eliminim direkt, ku çdo gabim është fatal apo çdo gol është historik. Nëse deri më tani Silvinjo ka qenë një nga trajnerët më koherentë që ka pasur Shqipëria, ndeshja me Poloninë ishte ajo që vërtetoi të kundërtën dhe asgjë nga ato që është thënë deri më tani në konferenca apo në intervista, nuk ka rezultuar të jetë fakt.
PARADOKSI I SILVINJOS- “Pse mungon Muçi? Pse mungon Mehmeti? Pse nuk i jepet hapësirë të rinjve”? Kjo pyetje është bërë shpesh herë në konferencat e shtypit për trajnerin brazilian i cili përveç faktit që shpesh herë “driblon” shumë mirë pyetjet, përgjigjet duke dhënë garanci mbi faktin se i jepet hapësirë lojtarëve që janë gati, atyre që bindin dhe nuk ka kohë për eksperimente. Diçka e tillë, e ka shoqëruar gjatë gjithë kualifikueseve të Botërorit dhe përderisa arriti ta kualifikonte skuadrën si vendi i dytë në grup, ndoshta zgjedhjet e tij i kanë dhënë të drejtë. Por, kjo e drejtë ka një kufi dhe këtë kufi e tregoi ndeshja me Poloninë.
Në një ndeshje të vetme, Silvinjo ka thyer çdo parim që kishte deri më tani si trajner i Kombëtares, çdo rregull që kishte vendosur dhe nëse nuk kishte kohë për eksperimente, ndeshja me Poloninë ishte më e gabuara e mundshme për të provuar. Në mbrojtje, u afrua Bujar Pllana, një mbrojtës që e njeh mirë futbollin polak dhe luan titullar atje, megjithatë nuk iu dha asnjë minutë. E djathta e mbrojtjes iu besua Hysajt i cili këtë sezon ka minuta me pikatore në Serinë A italiane dhe mungesa e gjendjes fizike ka qenë e jashtëzakonshme.
Megjithatë, shkodrani bëri mirë, në aspektin personal dukej sikur ka luajtur me javë të tëra edhe pse goli u pësua pikërisht nga zona ku ai duhej të markonte. Reparti më i çuditshëm, padyshim ishte sulmi dhe thuajse nuk funksionoi në asnjë minutë përveç faktit që Hoxha shënoi një gol falë gabimit personal që bëri mbrojtësi polak. Myrto Uzuni ka luajtur si sulmues i majtë me kuqezinjtë dhe shpesh herë është zhvendosur në majën e sulmit. Por, Silvinjo të cilit nuk i pëlqejnë eksperimente, këtë ndeshje e zhvendosi në të djathtë, aty ku për 90 minuta ishte thuajse inekzistent dhe nuk rrezikoi asnjëherë portën e polakëve.
Qendra e sulmit iu besua një mesfushori që ashtu si Hysaj, këtë sezon ka minuta me pikatore dhe hera e fundit kur ka luajtur ndeshje të plota, kanë qenë aktivizimet me Shqipërinë. Dhe, pikërisht në këtë repart që duhej mbuluar nga Bajrami me shpresën se nuk shpërdoron, ai humbi shansin e artë për ta bërë ndeshjen 2-0. Mesfushori që për Silvinjon duhej të ishte sulmues, nuk arriti të shënonte nga zona e 5-metërshit, atë rast që është më e lehtë ta realizosh sesa ta dërgosh topin jashtë porte. Kjo zhvendose nuk ka justifikime duke qenë se alternativat në këtë repart nuk mungojnë, për më tepër shumë lojtarë që nuk morën ftesën për në Kombëtare, janë duke bërë mirë më klubet e tyre dhe pse duhet që në ndeshje kaq të madhe, t’i besohet një lojtari pa minuta e për më tepër, jashtë pozicionit të tij natyral.
Një tjetër eksperiment, nga ata që Silvinjos nuk i pëlqejnë, ishte aktivizimi i Stavro Pilos. Mbrojtësi kuqezi që debutoi me fanellën e Shqipërisë, u aktivizua në pjesën e dytë dhe çuditërisht, në një ndeshje historike ku nuk lejohen gabimet dhe eksperiemtnet, Pilo erdhi si sulmues krahu. Si i tillë, gaboi i vetëm përballë portierit duke na hequr edhe një tjetër rast për kualifikim. Por, a kishte alternativa të tjera në krah trajneri Silvinjo për të mos u detyruar të improvizojë? Sigurisht që po!
Anis Mehmeti që po shkëlqen në kampionatin anglez, mund ta bëjë shumë mirë sulmuesin e krahut dhe pak ditë më parë, vetë Silvinjo u shpreh se e sheh si “uinger”. Por, forma e Mehmetit, golat e shënuar dhe asistimet e dhëna, nuk mjaftojnë për të luajtur me Shqipërinë. Diçka e tillë ndodhi edhe me Ernest Muçin, lojtarin më në formë të momentit. Mesfushori me tipare sulmuese u aktivizua vetëm në minutën e 82, kur mund të bënte ndoshta diçka me cilësi individuale duke qenë se kuqezinjtë kishin pësuar 2 gola, gjendja fizike ishte e dobët dhe morali kishte rënë në tokë. E nëse Silvinjo gjithmonë ka thënë që nuk ka kohë për eksperimente, koha për të eksperimentuar, ishte më e gabuara e mundshme duke qenë se na kushtoi kualifikimin.
